Kinë - Pas pesë ditësh të njëpasnjëshme të seancave dëgjimore në Jinan, në lindje të provincës Shandong, ka përfunduar gjyqi për korrupsion, përvetësim dhe shpërdorim të pushtetit kundër Bo Xilai, ish-liderit të Partisë Komuniste dhe ajkës së nomenklaturës kineze.

Sipas Agjencisë zyrtare të lajmeve "Xinhua", vendimi do të shpallet në një datë të paspecifikuar në ditët e ardhshme. Në argumentet e saj përfundimtare, prokuroria ka cilësuar "jashtëzakonisht serioze" krimet e kryera nga politikani Xilai. 

Sipas ligjit prokurorët kanë thënë se çështja duhet trajtuar me rreptësi që në praktikë do të thotë se është e barasvlershme të kërkohet edhe dënimi me vdekje. Drama që çoi në rënien e Xilait në vitin 2012, u shkaktua nga arratisja e ish krahut të tij të djathtë, Wang, në konsullatën amerikane në Chengdu, të cilit ju refuzua azili politik. 

Më pas Wang u arrestua nga autoritet ku pohoi se ishte kërcënuar nga Bo, kur ai zbuloi se gruaja e tij Gu Kailai kishte vrarë biznesmenin britanik Neil Heywood. Dalja në gjyq e ish-anëtarit të Byrosë Politike shikohet si një fakt për të luftuar konkurrentët politikë ku Xilai u refuzua të ngjitej në rrethin më të lartë të udhëheqjes në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, për shkak të skadalit të gruas së tij në 2012-n.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)