KINE - Përplasja e një autobusi me një kamion cisternë në veri-perëndim të Kinës, rezultoi fatale duke lënë të vdekur së paku 36 persona. Agjencia shtetërore e lajmeve njoftoi se dy automjetet u përfshinë në flakë menjëherë pas aksidentit që ndodhi në qytetin Yanan në mesnatë.

Policia ka konfirmuar se vetëm tre persona mundën të mbijetojnë ndonëse kanë marrë plagë të rënda. Shkaku i aksidentit në provincën Shaanxi është duke u hetuar, ndërsa konfirmohet se pas përplasjes autobusi u përfshi në flakë derisa u dogj tërësisht.

Agjencia Reuters ka publikuar një video që tregon grafikisht mënyrën se si mendohet të ketë ndodhur aksidenti. Një oficer policie tha për median se shumica e pasagjerëve të autobusit ishin duke fjetur dhe kjo mund të shpjegojë edhe pse numri i të vdekurve është i lartë.

Ekspertët vlerësojnë se rrugët në Kinë mbeten shumë të rrezikshme ndërsa vetëm në vitin 2011 numërohen 62,000 persona të vdekur në aksidente.
(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)