Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një prej emrave më të dashur dhe të vlerësuar të skenës dhe ekranit u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai ishte mjeshtri i roleve dytësore duke i dhënë një dimension të ri karakterit dhe situatave.
Milo Tafani te “Shi në Plazh”, ishte roli më i realizuar i mjeshtrit të madh Birçe Hasko, në mesin e interpretimit të mbi 12 roleve në Teatër.
Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e Sulo ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”, ndërsa ndër vite luajti në më shumë se 30 filma.
Abaz Kola te “Shtëpia me dy porta”, Shazo te “Familja e peshkatarit”, Osmani te “Malet me blerim mbuluar”, Tosun Baçi te “Njeriu me top” apo tellalli te “Koncert në vitin 1936”; në skenë dhe ekran, Birçe Hasko u dallua veçanërisht në role të karakterit komik dhe popullor.
Janë me dhjetëra rolet e realizuara mjeshtërisht prej tij, te të cilat solli karakterin popullor të jugut, duke e bërë të paharrueshëm për publikun shqiptar, aktorin e lindur më 15 mars të 1942 në Dukat të Vlorës, të ndarë nga jeta këtë të shtunë në moshën 84-vjeçare.
Birçe Hasko njihej për natyrën e veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe karakteret fshatarake i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një lojë origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku edhe në role dytësore ndërtonte personazhe të gjalla, me origjinalitet dhe shprehje të fortë skenike. Fizionomia e tij shprehëse, reagimet spontane, dhe mënyra karakteristike e të folurit e bënin interpretimin e tij të pazëvendësueshëm.
Rruga e tij drejt artit nuk nisi menjëherë në skenë. Në vitin 1961 ai përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”, duke zgjedhur fillimisht profesionin e mësuesit.
Në vitin 1965 ai hyri në Institutin e Lartë të Arteve, ku studioi për aktrim deri në vitin 1969. Që nga përfundimi i studimeve dhe për dekada me radhë, ai u bë pjesë e jetës akademike të institucionit, duke punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Në periudhën 1989–1994 mbajti edhe detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik.
Homazhet do të mbahen të dielën në orën 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Homazhet për aktorin i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, do të mbahen të dielën në orën 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë një postim për largimin nga jeta të “Mjeshtrit të Madh”, Birçe Haskos. Ai shkruan se Hasko ishte edhe një pedagog i shumë brezave aktorësh, një tjetër vokacion i jetës së tij.
“Bota e artit shqiptar humbi sot një nga figurat më të spikatura të saj.
Përveçse la gjurmë të çmuara si një aktor i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Birçe Hasko ia kushtoi jetën edhe edukimit, si pedagog i nderuar i shumë brezash aktorësh.
Lamtumirë “Mjeshtri i Madh” Birçe Hasko!”, shkruan Begaj.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Birçe Hasko, për të cilin thotë se "për dekada me radhë, ai solli në skenë dhe ekran personazhe të dashura për publikun, duke u kthyer në një prej figurave më të veçanta të teatrit dhe filmit shqiptar".
Postimi i plotë:
Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Birçe Hasko.
Për dekada me radhë, ai solli në skenë dhe ekran personazhe të dashura për publikun, duke u kthyer në një prej figurave më të veçanta të teatrit dhe filmit shqiptar. Publiku do ta kujtojë për interpretimet e spikatura në filma si “Radiostacioni”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Dhe vjen një ditë”, “Shkëlqim i përkohshëm” apo “I dashur armik”, si edhe për rolin e paharrueshëm të Milos në komedinë “Shi në plazh”.
Përveç kontributit të çmuar në skenë dhe ekran, Birçe Hasko mbetet edhe një nga pedagogët më të rëndësishëm të aktrimit në Shqipëri, i cili deri në vitet e fundit formoi dhe frymëzoi breza të tërë artistësh të rinj, duke përcjellë me përkushtim përvojën, disiplinën dhe dashurinë për skenën.
Me humorin spontan, interpretimin plot ritëm dhe karakteret popullore që mbartnin shpirtin e jugut, Birçe Hasko krijoi një stil unik artistik që mbetet pjesë e historisë së kinematografisë shqiptare.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët, studentët e tij dhe gjithë komunitetin artistik.

Regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të skenës shqiptare Birçe Hasko. Shanaj shkruan se Hasko ishte një emër i madh i kinematografisë, një aktor që humorin, rreptësinë dhe mjeshtërinë e interpretimit e kishte pjesë të karakterit.
Postimi i Mevlan Shanaj
Ka ikur Birçe Hasko.Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.Ka ikur njeriu që solli karakterin " popullor" të jugut duke e bërë të pavdekshëm.Iku labi Birçe Hasko.Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtrisë së interpretimit.Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit.Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI
Komente


AKTOR GJIGAND....NGUSHELLIME FAMILJES...
PërgjigjuRespekt o gjigand. Faleminderit per cfare na dhe
PërgjigjuNga me te miret, nga me te spikaturit qe kemi pasur... po dalin te tere nje e nga nje nga skena e jetes, perunjesisht, pa u ndier, ne maje te gishtave, me modesti, po kush mbetet pas? Si keta nuk ka te tjere. Po shpirti yne varferohet gjithnje e me teper. Falemnderit Birçe Hasko per gjithe sa na ke dhuruar! U prehsh ne paqe! Nuk do te harrohesh!
PërgjigjuAktori i madh Birce Hasko i la njerzve art te mirfillte dhe kujtesen e nje qytetari;lab unik. Respekt e mirenjohje per kontributt e tij. Prehu ne paqe,mjeshter.
PërgjigjuU shua nje tjeter xhevahir i artit. U prehte ne paqe! Ngushellime familjes!
PërgjigjuShpirti i tij ne parajse. Ngushellime familjes, miqve te tij, dhe gjithe publikut shqiptar.
Përgjigju