ATHINE-  Deputeti i partisë “Demokracia e Re”, ish-kryebashkiaku i Athinës, Nikitas Kaklamanis i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos mbi veprimet që ka ndërmend të bëjë Athina zyrtare, lidhur me atë që e quajti “vandalizmin mbi Kishën e Përmetit”.

Në pyetjen e tij deputeti i djathtë është shprehur ndër të tjera se “Ngjarjet që ndodhën në qytetin e Përmetit në Shqipëri kanë cënuar konceptin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar një ndjenjë shqetësimi për të gjithë grekët”.

Ai ka folur veçanërisht, për “përdhosjen e relikeve të shenjta, Ungjillit, Graalit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe besimtarët ortodoksë”.

Më pas ai  pyet: “Cfarë do të ndodhte nëse dikush do të kishte hedhur Kuranin në një kamion? Ndoshta do të digjej gjysma e planetit”, ka shtuar ai. Më pas Nikitas Kaklamanis i drejton ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos këto pyetje:

- Përveç përgjigjes diplomatike rutinë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, cilat janë hapat shtesë që keni ndërmend të merrni?

- A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por e fshehu vandalizmin dhe dhunën.

Pyetja e ish kryebashkiakut të Athinës, Kaklamanis, është si më poshtë: “Ngjarjet që nddhën me Përmet të Shqipërisë, kanë sfiduar dhe fyer çdo ndjenjë të të drejtës europiane e ndërkombëtare. Paralelisht kanë krijuar një ndjenjë shqetësimi tek të gjithë grekët. Veçanërisht përdhosja e relikeve të shenjta, Ungjillit, Graalit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe të gjithë besimtarët. Me të drejtë pyet cilido se çfarë do të kishte ndodhur nëse dkush do të kishte hedhur Kuranin në karrocën e një kamioni. Ndoshta do të ishte djegur gjysma e planetit  Tokë!”...

Ky zhvillim në parlamentin grek ndodh paralelisht me pyetjen që eurodeputeti grek, Jorgos Kumutsakos ngriti në Komisionin Evropian, për çështjen në fjalë dhe me të njëjtën përmbajtje.

Në parlamentin grek gjithashtu deputetët e Agimit të Artë kanë kërkuar që çështja e Përmetit të hyjë në diskutim në seance plenare duke kërkuar që të ketë sanksione ndaj Shqipërisë, gjë e cila nuk është pranuar nga drejtuesit e seances plenare dhe nuk ka hyrë ë rendin e ditës…

Po ashtu edhe zedhënësi i partisë Grekët e Pavarur, Trenc Kuik ka konsideruar në parlamentin grek si të papranueshm e sfiduese qëndrimin zyrtar të Tiranës, si edhe vendosjen e reciprocitetit në kufijtë shtetërorë nga ana e shqiptarëve.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)