KORCË - Mungesa e investimeve dhe harresa kanë çuar drejt rrënimit kishën shekullore të Barmishit në Ersekë. 

Edhe pse daton në vitet 1600, kisha e cila brenda saj konservon vlera të veçanta është braktisur nga çdo lloj investimi apo restaurimi. 

Mure të dëmtuar, afreske të prishura nga lagështira dhe që sipër mbajnë pluhurin e të paktën 25 viteve janë më evidentet gjatë vëzhgimit në këtë objekt kulti. 

Kisha ashtu si dhjetëra të tjerë që renditen në listën e monumenteve të kulturës është në pritje të syve të shtetit që të mund të rihapë dyert. 

Hapat e parë për restaurimin janë hedhur ku mësohet se është hartuar një projekt dhe pritet miratimi i tij. 

“Kemi filluar hartimin e projektit i cili ka përfunduar përpara katër muajsh projekti restaurues i këtij objekti. Është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe tani presim vetëm financimin nga buxheti i shtetit për të kryer një ndërhyrje kapitale në këtë objekt. Por ne për të paraprirë sepse është vonuar afati i restaurimit duke qenë se kemi hartuar disa projekte njëkohësisht për ndërhyrje emergjente në disa objekte”, - u shpreh Gjergji Koki drejtor i monumenteve të kulturës

E njëjta panoramë paraqitet edhe në kisha të tjera të rrethit të Ersekës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)