Vlorë - Një 22-vjeçar nga Babica e Madhe ka rënë në prangat e policisë së Vlorës.

Gjatë kontrollit në makinën tip ‘Benz’ që i riu po lëvizte, uniformat blu gjetën poshtë sediljes së shoferit 216 gram lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa.

Përveç makinës dhe lëndës narkotike efektivët sekuestruan edhe 3 celularë.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe në vijim të kontrolleve të pandërprera për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin policor të koduar “Endline”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:

E. L., 22 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, i cili drejtohej nga ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 216 gram lëndë narkotike të dyshuar “Cannabis Sativa”, të fshehur poshtë sediljes së shoferit.

Së bashku me lëndën narkotike, u sekuestruan gjithashtu 3 aparate celularë dhe automjeti tip “Benz” me të cilin lëvizte shtetasi E. L.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.