Durrës - Policia kufitare e Durrësit arrestoi një 47 vjeçar pasi në kamionin e këtij të fundit gjetën  3 persona që synonin të shkonin ilegalisht në Itali. Ndërkohë në pranga kanë rënë edhe 2 nga personat e fshehur në kamion.

Njëri prej tyre, 37-vjeç nga Lezha ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari pritet të ekstradohet në Itali.

Ndërkohë edhe personi i dytë i arrestuar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

I treti i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan celularët dhe dokumente të këtyre shtetasve dhe kamionin e 47-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin policor të koduar “Marine”. Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi:

K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe "Përkrahja e autorit të krimit", pasi në kamionin që drejtonte u gjetën të fshehur 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht kufirin. 

Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se:

-shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.

 -shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.