SHBA-Ende nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen e shqiptarit Grei Frashëri në datë 7 shtator në Brooklyn. Ndërkohë që familjarët dhe shokët kanë ndezur qirinj në vendin ku ai u gjet i pajetë. Kristi Leka, kushëriri i 23-vjeçarit që humbi jetën u shpreh për mediat amerikane se po kalojnë një moment shumë të vështirë, ndërsa policia ka vendosur një shpërblim 2500 dollarë për cilindo që jep informacione për vrasjen e të riut shqiptar.
“Ne po përpiqemi që të qëndrojmë të fortë për prindërit. Por është shumë e vështirë. Unë jam rritur me atë, ai kishte një buzëqeshje rrezatuese” tha Kristi Leka, kushëriri i viktimës. Autoritetet dhe mediat lokale raportojnë se i riu u qëllua me disa plumba në qafë dhe u gjet i shtrirë përtokë. Autorët e ngjarjes janë larguar me shpejtësi me tre makina, pasi kanë kryer krimin. Ende nuk dihen autorët dhe shkaqet që kanë çuar në kryerjen e vrasjes.
Policia nuk ka arrestuar asnjë person për ngjarjen, e deri më tani, nuk ka të dhëna nëse shqiptari ka qenë i përfshirë në ndonjë konflikt të mundshëm. Mediat amerikane raportojnë se shqiptarit është tentuar t'i jepet ndihma e parë nga një agjent sekret, i cili e ka gjetur të gjakosur në rrugë. Ai e ka transportuar të riun në spital në gjendje kritike, por përpjekja e mjekëve nuk ka dhënë rezultat për shkak të plagëve të rënda të marra në pjesën e qafës.