Në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Video Artit “Gjon Mili”, publiku në Korçë pati mundësinë të ndjekë një koncert të veçantë nga kitaristi klasik italian Nicola Montella.
I njohur në skenën ndërkombëtare të kitarës klasike, Montella është fitues i disa konkurseve prestigjioze dhe pedagog në Konservatorin e Avelinos, pranë Napolit, në Itali.
Performanca u zhvillua në mbrëmjen e ditës së dytë të festivalit në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, ku artisti interpretoi një repertor të përzgjedhur për publikun e pranishëm.
Koncerti ishte pjesë e programit artistik që shoqëron aktivitetet e festivalit, i cili këtë vit sjell në Korçë artistë, kineastë dhe krijues nga vende të ndryshme të botës. Pas performancës, pjesëmarrësit patën mundësinë të takohen dhe të bisedojnë në ambientet e teatrit, duke e kthyer mbrëmjen në një hapësirë komunikimi dhe shkëmbimi kulturor.
Edicioni i katërt i Festivalit të Video Artit “Gjon Mili” vijon me projeksione filmash, diskutime me artistë dhe aktivitete të tjera kulturore në Korçë dhe më pas në Dhërmi.
Komente







