Klajd vini me një këngë të re të titulluar “Lozonjare”, si do të jetë ajo?
“ Lozonjarja”, është një këngë dashurie por jo një baladë. Mund të them që është një këngë me më shumë alegri, që ngjan më tepër me seranatat korçare dhe ka gjithashtu një muzikë që do të memorizohet shumë shpejt nga publiku.
Pas “Mamicës”, tani u këndon vajzave lozonjare, mesa duket keni vendosur të bëni “paqe” me femrat?
Paqja ka gjithnjë me femrat (qesh). Unë i kam shumë qejf femrat lozonjare dhe besoj që pas “Mamicës”, e cila ishte një këngë alegrike dhe që transmetonte shumë energji, mendoj se kishte ardhur momenti për një këngë të tillë. Në fakt me Florin kur punonim në studio ishte shumë e vështirë të zgjidhnim materialin e duhur pas suksesit të “Mamicës”. Por kjo është një këngë që i përkëdhel femrat. Flet për një histori dashurie mes dy të rinjve, që tashmë ka përfunduar por që fati i vendos rastësisht përballë njëri-tjetrit. Djali është shumë i dashuruar me këtë vajzë dhe e vuan akoma ndarjen me të.
Duket pak si subjekti i këngës “Lutem unë sot”, ku ju i këndoni përsëri një historie të tillë, ka diçka personale këtu?
Kjo këngë nuk është aspak një histori e imja personale, megjithëse është shkruar nga Flori jo nga unë (qesh). Bëj shaka është një këngë që është krijuar natyrshëm në studiot e “Threedots Production”. Por mund të them se çdo kush në ditët e sotme ka një histori të ngjashme dashurie, që e kujton me nostalgji atë. Është një pjesë tek kënga kur thotë “pres të largohesh, gotën ta marr unë, se aty janë buzët e tua, buzët që i dua shumë”…
Përsëri bashkëpunon me Flori Mumajesin?
Përgjithnjë me Florin… (qesh).
Pse kjo zgjedhje Klajd?
Ka qenë gjithnjë dëshira ime të punoja me një këngëtar dhe kompozitor si Flori Mumajesi. Dhe sot që e kemi këtë bashkëpunim të afërt mendoj se është një nga arritjet e mia , që të punoj me një njeri të mrekullueshëm dhe profesionist si Flori dhe si gjithë stafi Threedots. Flori më ka ndihmuar të eci përpara në karrierën time artistike. Por në të njëjtën kohë është edhe një përgjegjësi shumë e madhe, ndaj dhe duhet punë, punë dhe vetëm punë.
Mendon dhe shpreson që kjo këngë të ketë të njëjtin sukses si “Mamica”?
Kjo këngë kur është krijuar mund t’iu them që na ka mrekulluar me Florin, pastaj është në dorë të publikut nëse do të pëlqehet apo jo. “Mamica” ishte një këngë më komerciale, ndërsa kënga “Lozonjare”, është një këngë më profesionale që nxjerr në pah edhe aftësitë e mia vokale.
E keni shoqëruar edhe me një klip, kur pritet të dal ai dhe ku e keni xhiruar?
Klipi do të lançohet këto ditë dhe është xhiruar në Durrës. Mund të them që është një këngë e ëmbël, e butë, tipike verore pasi ka edhe detin brenda.
Kemi vëne re që keni qenë i angazhuar shumë edhe me koncerte këtë verë?
Është e vërtet koncertet kanë qenë të shumtë në numër ndaj dhe jam shumë i kënaqur, pasi më kanë dhenë shumë sadisfaksion, në hapat e para të karrierës sime. Por koncertet do të vazhdojnë të jenë të shumtë. Kemi qenë një dyshe shumë e mirë me Florin dhe kemi sjellë një atmosferë shumë të mirë tek publiku.
Keni filluar të mendoni për albumin tuaj të parë, apo është shumë shpejt për të?
Siç e thatë edhe ju mendoj që është shumë shpejt krijimi i një albumi të ri. Por mund të them që nga unë nuk do të mungojnë asnjëherë projektet e reja… (qesh).
“Mamica”, ka qenë një këngë që është pëlqyer shumë por edhe kritikuar në të njëjtën kohë. Ka qenë këngëtarja Ermira Babaliu, këngëtare e njohur dhe njohëse e mirë serenatave korçare ajo që ka pohuar se ju i keni ironizuar ato?
Ermirën e kam njohur dhe më ka ardhur keq kur kam lexuar atë shkrim. Megjithatë kur arrin një farë “suksesi” edhe sulmet do të jenë të pranishme. Ajo që nuk më pëlqen mua është fakti se është mëshuar shumë tek pjesa, “të bëfsha gropën, sa ngjan me lopën”. Unë e kam shpjeguar disa herë që kjo këngë nuk i ironizon aspak femrat dhe ju siguroj që në seranatat korçare ka plot tekste të tilla. Gjithsesi “Mamica” mbetet “Mamica”, por nuk do më pëlqente që edhe këngëve të tjera t’iu zbehej suksesi. Kujtoj këtu duetin me Florin “Lutem unë sot”, që ishte një tjetër arritje për mua.
Jeni bërë pishman, që kënduat një këngë të tillë?
Aspak… Nesë do të më jepej mundësia të bëja një “Mamicë” tjetër, do ta pranoja dhe do ta këndoja me shumë dëshirë.
Jeta juaj tashmë është mes Tiranës dhe Korçës, është pak e lodhshme?
Është bukur të jetosh mes të dy këtyre qyteteve. Nuk është e lodhshme pasi është pasioni në mes. Unë e kam patur ëndërr të jem pjesë e muzikës shqiptare dhe kur gjërat ecin si duhet, atëherë edhe lodhja nuk ndihet.
Do të jeni pjesë e festivaleve të rëndësishme, si Kënga Magjike apo Festivali i fund vitit në RTSH?
Të them të drejtën festivalin e fund vitit nuk e mendoj, pasi nuk e gjej veten aty. Ndërsa “Kënga Magjike”, do të ishte një projekt më interesant, por deri tani nuk kam menduar asgjë.
Ndonjë të re nga jeta juaj personale?
Asgjë të re (qesh). Shoqe dhe shokë kam shumë…
Keni menduar për pushimet?
Nga shtatori nëse do të më ngelet kohë mund të pushoj, sepse tani jam shumë i zënë me koncerte. Pas Top Festit kam bërë vetëm 5 ditë pushime në Greqi dhe pastaj stop (qesh)…
Si është një ditë e juaja e zakonshme?
Në mëngjes kafe, pastaj mbyllem në studio deri në orët e para të mëngjesit. Ndërsa kur jam në Korçë është relaks total. Ndonjë këngë me kitare me shoqërinë, që më parë kanë qenë shumë të shpeshta dhe tani janë rralluar paksa.
Klajd kemi venë re që nuk e keni fare problem të kënduarin “live”?
Përpara se të bëhesha i njohur si këngëtar, kam qenë pjesë e karaokeve të ndryshme, që i kam ndërprerë për arsye të menaxhimit të studios. Të kënduarin “live” nuk e kam aspak problem, pasi “live” këndoj edhe nëpër koncerte me bazë orkestrale. Kam kënduar edhe me bandë live në Korçën time, së bashku me Erik Lloshin dhe kjo gjë më shijon shumë.
Pra, në Korçë ka qenë koncerti ku jeni ndjerë më mirë?
Jo aspak. Emocionet kanë qenë të shumta në të gjitha koncertet. Në Ferizaj ne patëm një koncert të mrekullueshëm, që mua do më mbetet gjatë në mendje. Mund të them që 80 % e koncerteve më kanë lenë shije shumë të mirë. Unë, Flori, Elvana, Mentor Haziri, Argjentina Ramosaj etj, do të jemi në një tur të gjatë koncertesh edhe në dimër.
Keni patur fatin të punoni dhe të këndoni me artistë të talentuar përmend këtu Florin, Elvanën etj. Si ndiheni përkrahë tyre dhe sa përpiqeni ti arrini?
Unë jam shumë i lumtur që po punoj me njerëz shumë profesionistë, që shikojnë dhe kurojnë edhe detajet më të vogla tek unë. Për mua kujdeset Flori, por edhe Elvana dhe Andi Gramm. Është një studio e organizuar në formë perfekte, duke filluar që nga marrëdheniet me mediat deri tek projektet muzikore. Përpos kësaj ne kemi krijuar një marrëdhenie shumë të ngrohtë më njëri-tjetrin dhe bashkëpunim shumë të mirë.
Intervista u publikua ne suplementin Thashethem, të gazetës "Shqiptarja.com"
sg/shqiptarja.com