TIRANE- Deklaratat publike për materialet kimike siriane dhe përfshirjen e palëve politike në këtë debat nuk e fshehin atë që po “zien” brenda PD. Grupet kundërshtare në këtë parti kërkojnë të gjejnë fajtorin për prishjen me SHBA dhe heqjen e mundësisë që shteti më demokratik i botës të mbështesë opozitën shqiptare. Kundërshtarët e kryetarit demokrat Lulzim Basha pavarësisht se ky i fundit s’lë ditë pa dalë që të denoncojnë strategjinë antiamerikane të Ramës dhe mazhorancës, e akuzojnë atë në mënyrë nominale se ka prishur marrëdhëniet e opozitës me SHBA. Madje akuzat kanë shkuar akoma më tej, teksa shprehen se autori i vërtetë i tërheqjes së turmes së protestuesve në drejtim të ambasadës së SHBA e protestën para kësaj ambasade, për herë të parë në 23 vitet e post-komunizmit e ka bërë një drejtues OJQ-je, që rri në paradhomën e Bashës që me zgjedhjen e tij kryetar bashkie, ndonëse vetë ky drejtues OJQ s’ka qënë para ambasadës.

Këtë kanë zbardhur kundërshtarët e Bashës në PD, që e kanë marrë si lajm të freskët nga shërbimet diplomatike dhe për më tepër kanë qënë vetë drejtues të protestës jashtë këtyre shoqatave që e kanë denoncuar dhe publikisht këtë fakt duke thënë se ishin 20-30 vetë nga OJF që me gjithë thirrjen e tyre për të mos vepruar, çuan një pjesë të protestuesve përpara ambasadës amerikane. Pikërisht një fakt i tillë përmendet në ambientet e selisë së PD, duke përgatitur në këtë mënyrë dhe goditjen e radhës nga ana e grupit kundër Bashës ndaj lidershipit aktual. Mësohet se shqetësimi i grupeve në PD, madje dhe më gjërë është se sa të jetë Basha në krye të kësaj partie, i cili është djegur përfundimisht nga SHBA si një partner i besueshëm, PD nuk vjen në pushtet.

Pasi pavarësisht se Basha u deklarua publikisht kundër armëve kimike, madje shkoi në atë dalje të dështuar në bulevard dhe u dëbua bashkë me Berishën nga protestuesit, duke qënë nën presionin e Berishës për qëndrim radikal, kundërshtarët e kreut të PD thonë se SHBA nuk ia falin ndryshimin e qëndrimit në momentet e fundit ndërsa kishte pranuar në prani të Arvizu se kundërshtia do të ishte vetëm për mungesën e transparencës nga Rama dhe jo një deklarim kundër materialeve kimike siriane. Mësohet se shansi i vetëm “mbijetese” në krye të PD mund të jenë vetëm zgjedhjet vendore, nëse shënon një rezultat më të lartë se më 2011, ndërkohë që zgjedhjet parlamentare duken shumë larg.
 
Akuza

“Protestën para ambasadës së SHBA për herë të parë në 23 vitet e post-Komunizmit e ka bërë një drejtues i një OJQ-je, i cili rri në paradhomën e Bashës, që me zgjedhjen e tij kryetar bashkie”.
 
Shanset
Shansi i vetëm për mbijetesë i Bashës mund të jenë vetëm zgjedhjet vendore, nëse shënon një rezultat më të lartë se më 2011, ndërkohë që zgjedhjet parlamentare duken shumë larg.

Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)