TIRANE-Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi të premten projekt vendimin mbi rregullat dhe kriteret për transferimin e gjyqtarëve të shkallëve të para dhe apeleve. Në mbledhjen që u drejtua nga zv/kryetari Elvis Çefa - e para që pas marrjes së detyrës - mungonte Presidenti i Republikës Bujar Nishani që mban edhe postin e kryetarit.

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha gjatë punimeve se ky projekt vendim ka marrë edhe konsensusin e Euralius dhe sipas tij do të bëjë të mundur eleminimin e subjektivizmave në transferimet e gjyqtarëve. Ndonëse paramisht i gjithë komisioni ishte dakort, nuk kanë munguar debatet mbi përcaktimin e kritereve që i japin më shumë pikë gjyqtarit që ka kërkuar transferim ndaj dikujt tjetër.

Komisioni ra dakort që në vend të parë në gjykim të vendoset cilësia e gjyqtarit, që fillimisht ishte lënë e treta. Si rrjedhim zbriti nga pozicioni i parë në të tretin vjetërisa e kërkuesit ndërsa kushtet shëndetësore të kandidatit mbetën në pozicionin e dytë të prioriteteve të pikëve.

Në mbledhjen e KLD-së u diskutua gjithashtu nëse duhej dhënë një pikë shtesë për gjyqtarët me invaliditet. Por vetë ministri i Drejtësisë Halimi tregoi në sallë një rast abuzimi. Propozimi mbi invaliditetin nuk kaloi por anëtarët e KLD-së ruajtën mundësinë për të dhënë një pikë shtesë për kë punon në qytetet verilindore. Dhe këtu shembulli më i përmendur ishte ai i qytetit të Tropojës.
(sg/shqiptarja.com)