TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë cakton datën 4 nëntor si datën e fillimit të punës të Gjykatave Administrative.

Sot ishte mbledhja e parë e KLD-së ku mori pjesë ministri i ri i Drejtësisë Nasip Naço, dhe Presidenti Nishani e hapi duke i uruar mirëseardhjen.

“Uroj bashkëpunim të frytshëm me të gjithë anëtarët e tjerë të KLD-së”- tha Nishani duke iu drejtuar ministrit Naço.

Në hapjen e sesionit të ri gjyqësor Nishani vlerësoi punën e KLD-së gjatë vitit të kaluar.

”KLD ka arritur që në një vit kohë ka arritur të adoptojë praktikat më të mira për të rritur respektin e gjyqtarëve dhe besimit të publikut.”- tha Nishani

Ministri i Drejtësisë kërkon plotësimin njëherësh të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
“Të plotësohen vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Dy anëtarë të Gjykatës së Lartë të caktohen sa më shpejt. Të plotësohen vendet vakante nga Parlamenti më pas të caktohet nisja e punës së Gjykatës Administrative”- tha ministri Nasip Naço


NISHANI: TE SHKRIHET INSPEKTORIATI I MINISTRISE SE DREJTESISE PER KONTROLLIN E GJYQTAREVE 

Presidenti Nishani kërkon shkrirjen  e Drejtorisë së Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë e cila merret me inspektimin e gjyqtarëve në favor të ministrisë së Drejtësisë. 
 
“KLD gjatë kësaj periudhe ka qenë monitorues i kudjesshëm dhe penalizues i ashpër në rastet kur është vërejtuar veprimtari korruptive. Ka marrë 12 raste të procedimeve displimore dhe 2 shkarkime gjyqtarësh. Për shmangie të mbivendosjes së kompetencave të kontrolleve ka ardhur koha që Inspektoriati i Ministrisë është strukturë që duhet shkrirë, një masë e tillë do të respektonte edhe më tepër parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga ekzekutivit."- tha Nishani.

Ne unanimitet KLD caktoi datën 4 nëntor si fillim i punës së Gjykatave Administrative.

DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ÇËSHTJEVE TË DREJTËSISË
Drejtoria që Nishani propozon shkrirjen në objekt të punës së saj ka:

-Përgatitjen e rekomandimeve lidhur me masat ligjore dhe organizative për funksionimin e pushteti gjyqësor.
-Kontrollin dhe inspektimin të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit dhe përgatit rekomandimet për Ministrin e Drejtësisë, lidhur me çështje të objektit të inspektimit.
-Kontrollin dhe inspektimin e organit të prokurorisë dhe përgatitjen e rekomandimeve për Ministrin e Drejtësisë, lidhur me çështje të objektit të inspektimit.
-Ndjek dhe realizon kompetencat lidhur me zhvillimin dhe realizimin e marrëdhënieve juridiksionale dhe procedurave të tjera të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale dhe civile.
-Inspektimin dhe përgatitjen e rekomandimeve lidhur me masat ligjore dhe organizative për funksionimin e Zyrës Qendrore dhe Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të -Paluajtshme si dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
-Ndjek dhe orienton kryerjen e inspektimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve civile dhe penale si dhe të institucioneve të tjera në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë, ose që ushtrojnë veprimtarinë në kompetencë të saj, si dhe përgatitjen e rekomandimeve për Ministrin e Drejtësisë lidhur me marrjen e masave të nevojshme për zgjidhjen e problemeve dhe për shkeljet e konstatuara.
-Ndjek në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore, funksionimin dhe organizimin e avokatisë dhe të noterisë të dhomave dhe të zyrave të avokatëve ose noterëve si dhe të mjekësisë ligjore.
-Kontrollon kujdesin dhe mbështetjen e funksionimit të veprimtarisë dhe të shërbimeve të përkthimit dhe ekspertimeve ligjore si dhe ndjekjen e çështjeve të tjera në përputhje me dispozitat përkatëse të akteve ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre.      



Redaksia online
(s.g/shqiptarja.com)