TIRANË, 27 Qershor/ATSH/.- Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideroi sot realist dhe objektiv vlerësimin e situatës së sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe problematikave kryesore të tij nga raporti i GRECO, për parandalimin e korrupsionit në lidhje me anëtarët e parlamentit dhe të drejtësisë.
Në një deklaratë të KLD-së, thuhet se megjithëse sipas raportit, gjyqësori shqiptar është duke vuajtur nga niveli i ulët i besimit të publikut dhe pushteti i tij mbetet i dobët, në kapitullin për gjyqësorin, raporti ka pasqyruar realisht punën e bërë së fundmi nga KLD dhe Inspektorati i tij, në kontrollin, përmirësimin dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri.
Në raport evidentohet fakti se në vitin 2013, KLD-ja i ka dorëzuar Ministrit të Drejtësisë shumë kërkesa për mundësinë e fillimit të procedurave disiplinore për gjyqtarët e gjetur me shkelje pas kontrolleve të ushtruara nga Inspektorati i KLD-së.
Në raport konstatohet me sy kritik fakti që gjyqësori nuk ka kontroll mbi zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe se e drejta për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatës i takon ekskluzivisht të Ministrit të Drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë duke i konsideruar me vend rekomandimet e GRECO me synimin për të siguruar mbrojtje kundër ndërhyrjes arbitrare në administrimin e drejtësisë, thekson se duhet të përcaktohet qartë shtrirja e së drejtës së Ministrit të Drejtësisë për të shqyrtuar funksionimin e shërbimeve gjyqësore e administrimin gjyqësor;
kryetarët e gjykatave përkatëse, duke përfshirë dhe ata të Gjykatës së Lartë që të kenë të drejtë për të filluar procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve.
KLD, thuhet në deklaratë i konsideron tepër të vlefshme sugjerimet e GRECO, në gjetjet e zgjidhjeve përkatëse për disa problematika që shqetësojnë sot sistemin gjyqësor, reformimi i të cilit është një ndër prioritetet kryesore të Këshillit.
/a.s/ /a.g/