TIRANË, 30 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e sotme kishte në rendin e ditës shqyrtimin e kandidaturave për plotësimin e 4 (katër) vendeve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vende të shpallura vakant me vendimin nr. 41, datë 11.04.2014 të Këshillit.
Sipas burimeve nga KLD, procedura e ndjekur në përzgjedhjen e tyre, ka qënë totalisht konform ligjit "Për organizimin dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", konform të gjitha standarteve të përcaktuara nga Këshilli, si dhe në një proces votimi të hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore për emërim në këtë gjykatë.
KLD ka reaguar edhe ndaj pretendimeve të Ministrit të Drejtësisë se KLD ka shkelur ligjin. Me anë të një deklarate për shtyp KLD shprehet se, "gjejmë rastin të informojmë opinionin publik se vendimmarrja e sotme apo dhe ajo e datës 11 Prill 2014, me anë të së cilës janë shpallur vendet vakant, janë kryer në respektim të plotë të Kushtetutës e cila i ka atribuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtën e patjetërsueshme të propozimit për emërim apo edhe të transferimit të gjyqtarëve nëpër gjykata. I gjithë kuadri ligjor në fuqi në zbatim të Kushtetutës, i ka dhënë Këshillit dhe jo Ministrit të Drejtësisë autoritetitin e duhur për të qënë administruesi i sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht i kontrollit të tij përsa i përket gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit".
Përkundrazi, vijon KLD, "Ministri i Drejtësisë në veprimtarinë e tij, nuk ka respektuar detyrimet për të propozuar shpalljen e vendeve vakant, jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, por dhe në të gjithë gjykatat e vendit, duke shtyrë gjykatat drejt një anormaliteti në funksionimin e tyre".
"Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, do të kishte vepruar prej kohësh në caktimin e ndihmësave ligjorë në gjykatat administrative", thuhet në deklaratën e KLD .
KLD thekson se, "Megjithëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur, i ka bërë Ministrit thirrje që të ushtrojë kompetencat ligjore të parashikuara në nenin 6 të ligjit nr.49/2012, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Emërimi sa më shpejt i ndihmësave ligjorë në gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore gjatë ushtrimit të veprimtarisë e tyre, do të shërbejë në balancimin e ngarkesës së punës në gjykata. Këto janë detyrime që Ministri i Drejtësisë duhet të plotësojë jo si një nder apo favor ndaj gjykatave, por si një detyrim ndaj ligjeve të vendit".
"Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, ekzkluziviteti që ai ka në fillimin procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet të bazohet në standarte të dyfishta, me qëllim në fakt për të goditur vetë KLD. Përkundrazi kjo kompetencë duhet ushtruar nga Ministri me transparencë, objektivitet dhe larg çdo lloj dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre", thekson KLD.
"Deklarimet e Ministrit të Drejtësisë, bërë publike sot në media, se KLD ka shkelur hapur ligjin, apo thirrjet e tij për "ndihmë" drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjore vërteton edhe një herë se qëllimi i tij nuk është përmirësimi i sistemit gjyqësor, por vendosja e tij në kontroll", shton KLD.
Sipas KLD, "Këto tentativa në rastin më të mirë mund të konsiderohen padijeni ndaj ligjit dhe interpretimit të tij dhe në rastin më të keq janë gjetja e një preteksti për të realizuar një skenar ndërhyrje qëllimplotë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor nga pushteti ekzekutiv. Këto tentativa janë revansh i pastër politik ndaj Këshilit të Lartë të Drejtësisë, ndaj sistemit të drejtësisë, për të përfituar nënshtrimin e gjyqtarëve".
"Në mbledhjen e sotme nuk ka ndodhur asgjë nga e gjithë ajo antiligjshmëri që pretendon Ministri i Drejtësisë. Sot, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë detyrën duke plotësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në mënyrë që ajo të funksionojë me një trupë të plotë gjyqësore, çka do të ketë veçse pasoja pozitive në shpejtësinë dhe në cilësinë e punës të asaj gjykate. Këshilli është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët politikë ose jo, në përmirësimin e sistemit të drejtësisë si një domosdoshmëri që e kërkon koha, që e kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha nevojat e qytetarëve", përfundon deklarata e KLD-së.
/f.n/