‘Klejsi, vogëlushi që ëndërron të shikojë e të blejë shtëpi për familjen’! Ritualet e 6 personave të verbër në foto, artisti Balla: Pashë si pulsonte dëshira për jetën

Këto imazhe, që ekspozohen në qendrën kulturore ‘Tulla’ shkojnë përtej fotografisë... Renato Balla, ka jetësuar tek “Rrëfenjat e vështrimit”, ëndrrat e 6 personazheve të verbër dhe ritualet e tyre... Të qenit regjisor bën që të thellohet, e çdo shkrepje ta konceptojë si një mizaskenë...

“E kam konceptuar gjithë serinë duke e menduar hapësirën ku këta persona kanë jetuar si një teatër ku ata shpalosin shumë ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre”, tregon fotografi dhe regjisori i ri Renato Balla.

Për të depërtuar në jetën e tyre të zakonshme, botën e brendshme me brengat e gëzimet, fotografi ka kaluar mbi 2 muaj me ta.

“Praktika ime e punës ka shumë të rëndësishme pjesën kërkimore dhe njohjen me personazhin apo subjektin dhe si pasojë kam kaluar momente shumë të gjata me këtë persona që janë tek seria fotografike, duke u bërë pjesë e përditshmërisë së tyre, duke kaluar momente lotësh, gëzimesh gllënjka kafesh me ta, për të kuptuar dhe më mirë se si funksionon e gjithë bota e tyre e brendshme dhe si pasojë edhe jeta e tyre e jashtme”, shton më tej.

Personazhet që i zbulon falë ndihmës së stafit të Shoqatës së të Verbërve, janë të moshave e kategorive të ndryshme...

“Për mua është shumë e rëndësishme pjesa e diversitetit, gjithëpërfshirjes, barazisë”, thotë ai.

Ka jetuar me ta nga afër vështirësitë që thellohen nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, duke u frymëzuar se si i bëjnë ballë me guxim përditshmërisë, pa reshtur së shpresuari..

“Tek jeta e të gjithë personazheve kam parë se ajo çka pulson është një lloj aktivizimi, ngulmimi për jetën. Po ashtu fakti që ata e kanë pranuar jetën e tyre ashtu siç është dhe kanë vendosur të vazhdojnë përpara”, shprehet ai.

Pas çdo fotografie procedura është e ndryshme, diku imazhi fiksohet pas një dialogu, diku pas momenteve të gjata heshtje, një shkrepje tjetër e gjen personazhin tek kërkon prehje shpirtërore edhe në besim...

“Kam dashur të shpalos dhe të ruaj edhe një lloj origjinaliteti pa i impostuar apo pa dashur t’i bëj ata që të pozojnë, por të shërbente si një akt njohje midis meje dhe tyre si dhe për të pasur një eksperiencë të plotë në lidhje me fotografinë”, thotë më tej.

Mes personazheve Klejsi është më i vogli. Atij i pëlqen të pikturojë e ëndërron që të shikonte me të dy sytë... Balla rrëfen mes momenteve prekëse, se vogëlushi i ka treguar se me të mbushur 14-vjeç ëndërron të punojë që të blejë një shtëpi për familjen...

“Kur e pyesja si e shikon të ardhmen dhe shikoja një metamorfozë të vazhdueshme në bisedë me të ...”, tregon ai.

Krahas Klejsit, në kurimin që i bën ekspozitës Balla sjell edhe historitë e secilit prej personazheve të tjerë...

“Për mua ka qemë shumë e rëndësishme që të gjithë procesin e njohjes që unë kam kaluar duke punuar me ta, të arrija  ta transmetoja edhe tek njerëzit që do vinin të shikonin ekspozitën”, shprehet Balla.

Pas Tiranës, ekspozita do të rrugëtojë për tre javë në MuzehLab në Durrës.

SI.E./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së