Vetëm një ditë pasi PD publikoi akuzat ndaj kandidatëve për KLGJ e KLP, Bardhi sfidon nga studio e Report Tv kandidatët e dënuar apo spiunë, duke thënë se mund të shkojnë në gjykatë, nëse mendojnë se akuzat e PD janë shpifje.
Duke u ndalur te Jano, i cili pretendohet të ketë qenë ish-bashkëpunëtor, Bardhi publikoi dokumentin, ku thuhej se ai ishte përjashtuar dhe më parë nga një institucion, për shkak se ka qenë informator me pseudonimin ‘telefoni’.
“Kushdo që mendon se dokumenti është i falsifikuar le të ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Nëse Jano pretendon se nuk ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, le ta ndjekë.
Unë nuk jam ekspert për të analizuar shkrimin, por kushdo që pretendon se dokumenti nuk është i vërtetë le ta dërgojë në organet e drejtësisë. Ky nuk është i vetmi dokument. Ky është një dokument tjetër, ku Jano është përjashtuar për shkak se është informator me pseudonimin ‘telefoni’. Ky është një dokument zyrtar, është detyrë e tij të provojë që nuk ka qenë bashkëpunëtor dhe të kundërshtojë këtë dokument.
Nëse ai pretendon se ne kemi bërë shpifje, le të bëjë padi për shpifje në gjykatë, por në të kundërt do të mbajë përgjegjësi. Dokumentet janë zyrtare dhe ndodhen në Autoritetin e Dosjeve”, tha Gazment Bardhi.
d.c./shqiptarja.com









