Nismat e 100 fshatrave dhe ajo e agroturizmit kanë në themel mbrojtjen dhe nxitjen e produktit vendas, si marka unikale të zhvillimit turistik në vend. Fjala është e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë prezantimit të Projektit “Brand Albania”, mbështetur nga USAID dhe Creative Business Solutions.

Në fjalën e mbajtur në prezantimin e projektit ministri Klosi theksoi se ky projekt është një përpjekje konkrete e të gjitha institucioneve dhe partnerëve për ta bërë Shqipërinë një destinacion turistik të diversifikuar dhe permanent dhe për këtë është mjaft e nevojshme që në polet e zhvilllimit të turizmit të tregtohen dhe ofrohen produkte autentike shqiptare.

Ministri Klosi theksoi se brandi Albania duhet të jetë në përputhje me karakteristikat dhe produktet e zonave të përcaktuara për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor fillimisht në 100 fshatrat si edhe të jenë produkte të marketueshme. Ministri Klosi gjithashtu bëri të ditur se së shpejti do të publikohet një kalendar i pasur aktivitetesh që do t’u ofrojnë turistëve vendas dhe të huaj, më shumë mundësi për të vizituar Shqipërinë në cdo stinë të vitit.

Të pranishëm në prezantimin e projektit ishin edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri Dr. Catherine Johnson, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e projektit dhe rolin e rëndësishëm të bujqësisë dhe turizmit në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Projekti “Brand Albania” vjen në mbështetje të agrobiznesit dhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe do të krijojë një trupë kombëtare për një markë të unifikuar të produkteve bujqësore autentike shqiptare dhe integrimin e tyre në nisma për turizmin. Shtatë institucione publike dhe private do të bashkërendojnë punën për të zbatuar me sukses projektin Brand Albania. Projekti do të shërbejë si një katalizator i agro-turizmit përmes promovimit të karakteristikave unike, cilësore dhe autentike të produkteve bujqësore të përzgjedhura shqiptare e duke i përdorur ato si ‘ambasadorë’ të turizmit.

Në kuadrin e Programit të USAID-it për Rritjen e Ekonomisë Rajonale (REG), USAID/Shqipëri, së bashku me Partnerin e Aktivitetit Lokal, Creative Business Solutions (CBS), ka nisur një projekt për të zhvilluar një markë kombëtare për produkte ushqimore autentike shqiptare. Projekti, nëpërmjet një financimi prej 500 mijë dollarësh nga REG, do të ofrojë asistencë të drejtpërdrejtë teknike për sektorin privat, duke inkurajuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me Qeverinë Shqiptare për të krijuar 'Brand Albania', një instrument që promovon prodhime vendore të cilësisë së lartë dhe iniciativa të lidhura me turizmin.

Turizmi nuk mund të konsiderohet vetëm turizmi i detit dhe i rërës, por duhet të intesifikojmë ofertën tonë turistike. Përpjekja e sotme, padyshim, nxit dhe promovon këtë përpjekje të përbashkët që të gjitha institucionet e këtij vendi kanë pranuar që Shqipëria duhet të jetë një destinacion turistik i diversifikuar që nuk aftrohet vetëm për 60 ditët e sezonit të turizmit por është një turizëm permanent. Objektivat janë të qarta. Ne duam të kemi në Shqipëri një turizëm 12 mujor dhe një turizëm që shtrihet nga veriu në jug. Polet tona të turizmit që fillojnë me Alpet, marinë apo detin Adriatik, jugun e ri apo Tiranën, dhe të gjitha zonat me përparësi zhvillimin e turizmit do ta kenë shumë të nevojshme që të kenë pole ku të tregtojnë dhe afrojnë produkte shqiptare. Kjo që nis sot do të jetë një përpjekje, e cila do të kërkojë shumë punë, por mbi të gjitha duhet shumë më tepër pasion, atdhedashuri dhe natyrisht konseguencën në ndjekjen e këtyre problemeve.
Në Shqipëri sot funksionon një strukturë shumë e rëndësishme e zejtarëve shqiptarë. Ata tashmë janë organizuar dhe i shoh drejtues të tyre në këtë sallë dhe do të ishte e pafalshme nëse ne në të gjithë këtë përpjekje nuk i përfshijmë njerëzit të cilët me duart e tyre prodhojnë produkte autentike shqiptare, të cilat janë të kërkuara gjatë gjithë vitit në të gjitha pikat tona të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Tashmë është lançuar idea jonë e përbashkët , e iniciuar nga Ministria e Bujqësisë, por që mori më pas mbështetjen e ministrisë të Turizmit, Kulturës dhe Infrastrukturës për të zhvilluar projektin e 100 fshatrave, të cilët kanë kaluar edhe me vendim të këshillit të Ministrave që ka përcaktuar fshatrat e parë dhe më pastaj cili fshat tjetër do të përfshihet në këtë strategji. Projekti jonë i brandit Albania padyshim do të duhet që në plan të parë të fokusohet në këto 100 pole të reja të zhvillimit turistik që ne kemi menduar. Prandaj do të doja shumë që ne të kishim në këtë bisedë edhe produkte specifike në radhë të parë nga 100 fshatrat dhe pastaj në cilëndo zonë ku ne kemi mundësi që të zhvillojmë këto produkte.
Një iniciativë tjetër e cila për ne është shumë e rëndësishme, është krijimi i agroturizmit. Së bashku edhe me ministrinë e Bujqësisë kemi krijuar tashmë edhe një grup pune që po ndjek përgatitjen e standarteve që një produkt shqiptar duhet të jetë pjesë e agroturizmit por ama në vendimin e qeverisë është një nga kriteret që ajo fermë që do të marrë certifikatën e agroturizmit duhet të ketë padyshim produkte shqiptare. Kjo iniciativë e sotme shkon si një çertifikim nëpërmjet dhomës së zejeve dhe prodhuesve lokalë për të prodhuar brandin shqiptar. Sa do të kemi ne të mundur që veprimet tona të shkojnë në përputhje me atë çfarë zejtarët prodhojnë kjo do të jetë një pëpjekje e vështirë për të cilën ne duhet të bashkëpunojmë të gjithë.

Dhe e fundit që dua të paraqis sot tek ju, në kuadër edhe të projektit Brand Albania ne po punojmë për të organizuar gjatë gjithë sezonit turistik një sërë aktivitetesh promovuese të turizmit gjithëvjetor në Shqipëri. Shumë shpejt do të afrojmë publikisht një listë aktivitetesh në të gjithë vendin, të cilat të jenë si një arsye për turistët e huaj, por edhe ata vendas që të vizitojnë Vunoin jashtë sezonit turistik, të shkojnë në Shkodër në një festë kulinarie të peshkut në buzë të liqenit, për të ndjekur një gjueti peshku në lagunën e Kune Vainit, për të shkuar në Berat në festën e Verës apo të rrushit, për të pasur mundësinë që në disa ditë gjatë sezonit turistik të vizitojnë Korçën, dibrën apo çdo vend tjetër.
Prandaj në përputhje të plotë me atë çka projekti ka në planet e tij të punës ne e shikojmë si një pëpjekje e cila siç e thashë edhe në fillim do shumë përpjekje të formave të ndryshme, por mbi të gjitha do pasion. Do të doja shumë që brandi i përcaktuar të jetë në radhë të parë në përputhje me karakteristikat dhe produktet e zonave të përcaktuara të cilat tashmë ne duam të promovojmë si pika ku do të zhvillojmë turizmin gjithëvjetor dhe në radhë të tretë të jenë produkte të cilat të jenë të marketueshme”
, shprehet Klosi në fjalimin e tij.

e.gj/Shqiptarja.com