TIRANË - Në studion e "A1 Report" sot pasdite i ftuari i gazetares Mira Kazhani ishte ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi. I pyetur mbi ndryshimet e pritshme në SHISH me ardhjen e qeverisë së re, Klosi përmendi faktin, se ka dëgjuar për ngritjen e një Byroje Hetimore nga qeveria e re që pritet të marrë pushtetin në shtator.

"Nuk e di ç'ide ka Rama. Duhet ta shpjegojë se çfarë ka ndër mend të bëjë. Por ndryshimet sasiore sjellin ndryshime cilësore", ka thënë Kosi duke iu referuar ndryshimeve të qeverisjes, e duke shtuar se "mund të ngrihej një shërbim i vogël, me profesionistë, që të mos njihen".
 
Klosi bëri krahasime edhe me kohën e Berishës. "Gjatë kohë së Berishës u forcua pushteti i SHIU-t dhe u la në hije SHISH, sepse siç dihet, Berisha mendoi se nuk e kishte nën kontroll këtë gjë. Deshi gjithmonë ta shkarkonte kreun e SHISH, derisa këtë e bëri Nishani".

"Krimi i organizuar dhe terrorizmi janë dy nga shqetësimet më të mëdha për sigurinë e vendit", ka theksuar ndër të tjera Klosi, duke pasur parasysh tek krimi i organizuar trafikun e drogave, armëve në masë etj.

Lidhur po me sigurinë, ai ka shtuar se "nuk mund të krahasohemi me ShBA dhe vende të mëdha, që kanë edhe probleme globale. Duhet të qëndrojmë në kornizën tonë". Ish-kreu i SHISH këtu ka bërë krahasime me Italinë dhe Slloveninë. "Italia ka dy shërbime paralele, të cilët e kundërshtojnë njëri-tjetrin. Modeli më i mirë është Sllovenia, e cila ka një shërbim të vogël dhe shumë simpatik dhe profesionist".

Në lidhje me një rikthim të tij në SHISH, Klosi u përgjigj me refuzim, duke parapëlqyer t'ia lërë vendin të rinjve. "Të punoja prapë do ta quaja të tepërt. Se ka shumë të rinj sot, me shumë ambicie, që unë ndoshta nuk i kam më. Do këshilloja, por jo të marrë përsipër përgjegjësi. Jo se iu shmangem, por t’u lë vend të rinjve. Të jemi të sigurt për sot e për nesër", përfundoi fjalën e tij Fatos Klosi.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)