SPAK thotë se asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është në hetim apo përgjim. Ky reagim vjen në përgjigje të një deklarate se SPAK po përgjonte anëtarët e Këshillit për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes së zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas SPAK, nuk është ndërmarrë asnjë veprim hetimor që synon të ndikojë drejtpërdrejt apo tërthorazi apo të intimidojë vendimmarrjen e KLP-së dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore. 

Ishte ministri Ylli Manjani, i cili deklaroi se SPAK po përgjonte KLP-në për të diktuar zgjedhjet e kreu të ri të Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas ish-ministrit, anëtarët po intimidoheshin nga përgjimet. 

Por SPAK thotë deklaratat e tilla janë spekulim, të pabazuara në fakte dhe që kanë për qëllim që të dëmtojnë prokurorinë. 

Reagimi i plotë i SPAK: 

Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:

1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.

2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore. 

Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme. 
Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.