Detyrimet debitore në vlerë më 31 dhjetor 2011 ishin sa 59.5 për qind të vlerës totale të të ardhurave neto të realizuara nga organet e tatim-taksave në vitin 2011, ndërsa kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2011, vlera e detyrimeve debitore ishte sa 4.9 për qind të saj, nga 4.73 për qind e PBB-së që zinte në vitin 2010 dhe 4.31 për qind në vitin 2009, thekson raporti i KLSH.
Sipas këtij dokumenti, sa u përket masave të marra për zbatimin e ligjit të faljes nr. 10 418, datë 21/4/2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", subjektet me borxhe tatimore gjendje në fund të vitit 2010 kanë përfituar dhe u është falur vlera 10.690 milionë lekë, e cila ka ndikuar direkt në uljen e gjendjes debitore. Me gjithë këtë, përsëri gjendja debitore më 31/12/2011 rezulton me rritje në vlerën 6 miliardë lekë, nënvizon KLSH. Ky institucion po e monitoron vazhdimisht organin tatimor në këto 2-3 vitet e fundit, duke nxjerrë në pah disa probleme.
Nga analiza e këtyre treguesve rezulton se, nga afro 43 miliardë lekë të llogaritura për t'u falur në zbatim të ligjit të sipërcituar, janë përfunduar procedurat dhe deri më datën 31.12.2011 është falur vlera në masën 24.9 për qind, e cila u përket 108.928 rasteve.
Sipas llojit të detyrimeve të falura, peshën kryesore e zë falja e gjobave për shumën 4.82 miliardë lekë. Sipas zonave, paraqiten me një nivel shumë të ulët Drejtoria rajonale e Tiranës, ku niveli i faljes rezulton në masën 8.8 për qind, ndërkohë që kjo ka dhe vlerën më të madhe për t'u falur, e ndjekur nga DRT Durrës dhe Dibër, përkatësisht 16.5 për qind dhe 21.9 për qind.
Detyrimet e falura pa pagesë për personat fizikë të regjistruar si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël të periudhës deri më datën 31 dhjetor 2010 rezultuan në 1,46 miliardë lekë për 29.715 raste, ose në masën 13.7 për qind të totalit të faljeve.
Detyrimet e falura pa pagesë për individët për periudhën tatimore deri më datë 31 dhjetor 2010 janë 244 milionë lekë për 6.432 raste, ose 2.3 për qind e totalit të faljeve.
Detyrimet e falura pa pagesë të tatimpaguesve, persona juridikë apo fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri më datën 31 dhjetor 2008, janë në shumën rreth 5 miliardë lekë për 11.566 raste, ose 47.7 për qind e totalit të faljeve.
Në total, detyrimet tatimore që u falën pa pagesë kapin vlerën 6. 8 miliardë lekë për 47.713 raste, ose 63.7 për qind të totalit të vlerës së falur.
Ku nuk funksionoi procesi?
Sipas KLSH, arsyet janë disa, duke filluar nga mosdërgimi brenda afatit ligjor i të dhënave të borxhit tatimor. Një nga problemet e hasura kanë qenë ndryshimet e herëpashershme të strukturave organizative e të punonjësve të ngarkuar me administrimin dhe rikuperimin e borxhit tatimor në qendër dhe në bazë, pa asnjë argumentim ligjor, thekson Kontrolli i Shtetit.
(sg/shqiptarja.com)