TIRANE- Kryetari PSV ’91 Petro Koçi, për gazetën “Shqiptarja.com” flet për statusin e vendit kandidat dhe për keqkuptimet islamike.
 
Shqipëria për të fituar statusin e vendit kandidat duhet të marrë modelin kroat, duke dënuar zyrtarë të lartë për korrupsion...?
Drejtësia duhet të veprojë mbi peshqit e mëdhenj. Korrupsioni, abuzimi me pushtetin për përfitime financiare familjare, shndërrimi i politikanëve të tipit Berisha në biznesmenë që shfrytëzojnë pasuritë publike, duhet ndëshkuar me rreptësinë më të madhe. Italia, Kroacia e vende të tjera po na japin shembullin se si shteti e mund politikën e korrupsionit. Me vjen mirë që Prokuroria e Përgjithshme ka vënë në fokus pastrimin e parasë së pistë në industrinë e ndërtimit. Por kjo është pak. Paraja e drogës dhe e trafikimit të mishit të bardhë ka hyrë në Parlament tashmë. Kjo kategori duhet shporrur sa më parë. Për të shpëtuar të ardhmen tonë. Nesër do të jetë vonë. Këto dukuri po ndëshkojnë procesin tonë të integrimit. S’duhet vetëm që ne të fitojmë Europën. Duhet që edhe Europa të fitojë Shqipërinë.
 
Nga SHBA vijnë sinjale se duhen gjyqtarë të huaj për dënimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion, mendimi juaj?
Na duhet një reformë e fortë në drejtësi por që të mbështetet pa rezerva nga SHBA dhe BE. Ndoshta një reformë institucionale që integron ligjërisht asistencën amerikane dhe europiane në funksionimin e gjyqësorit dhe prokurorisë. Duket se Berisha ndihet keq pas qëndrimeve antikorrupsion që vijnë nga SHBA. Kjo kuptohet nga mënyra ‘antiimperialiste’ që iu vërsul FMN. Laku antikorrupsion po shtrëngohet. Po s’u ndëshkuan ‘peshqit e mëdhenj’ vështirë të frenohet kultura korruptive në vend dhe vështirë të meritohet statusi kandidat i Shqipërisë për anëtar në BE.
 
Duket se anëtarësimi në Konferencën Islamike ka krijuar perceptimin në botën përëndimore se ne jemi vend islamik...?
Natyrisht që flladet ekstremizmit fetar të Lindjes së Mesme kur fryjnë në viset tona e trembin Europën. Ndaj duhet sensibilizuar shqiptaria në të gjithë rajonin për t’iu shmangur flladeve të tilla që dëmtojnë integrimin dhe kohezionin tonë kombëtar.
 
Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)