Koalicioni ndaj ISIS, Bushati: Krah
SHBA në luftën kundër terrorizmit!

Koalicioni ndaj ISIS, Bushati: Krah<br />SHBA në luftën kundër terrorizmit!
BRUKSEL - Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të më se 60 vendeve që marrin pjesë në koalicionin kundër shtetit islamik (ISIS).

I organizuar nga SHBA-të, takimi u kryesua nga Sekretari i Shtetit amerikan John Kerry dhe ju kushtua shqyrtimit të progresit të bërë në luftën kundër ISIS si dhe koordinimit politik të përpjekjeve të përbashkëta të vendeve anëtare të koalicionit.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati, shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar terrorizmin në të gjithë format e tij, bazuar mbi një qasje strategjike, e cila udhëhiqet nga respekti për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, zbatimi efektiv i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Duke e vlerësuar luftën kundër terrorizmit si prioritet, ai evidentoi masat ligjore të reflektuara në legjislacionin kombëtar ndaj terrorizmit, ndërsa nënvizoi faktin se Shqipëria renditet ndër vendet e para kontribuuese për Irakun, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.

Ministri Bushati shprehu mbështetjen ndaj qeverisë së Irakut dhe opozitës së moderuar siriane, në luftën e tyre ndaj ISIS, duke vlerësuar veçanërisht rëndësinë e koordinimin të rregullt në nivelet më të larta qeveritare me partnerët ndërkombëtarë.

bushati ne nato

Ministri Bushati merr pjesë në Ministerialin e NATO
Në datat 2-3 dhjetor 2014, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Bruksel. Në Ministerial u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme për NATO-n dhe vendet aleate, si progresi i bërë deri tani për detyrat e lëna nga Samiti i Uellsit; marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë dhe Ukrainën, veçanërisht në kontekstin e krizës aktuale atje dhe  angazhimi i ardhshëm i NATO-s së bashku me partnerët në Afganistan pas vitit 2014 me përfundimin e operacionit ISAF atje.

Gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, Ministri Bushati shprehu mbështetjen e vendit tonë për masat e marra nga Aleanca në kuadër të mbrojtjes kolektive dhe sigurisë së vendeve aleate, që ndihen aktualisht më të kërcënuar. Ministri Bushati, ritheksoi rëndësinë e partneriteteve dhe rolin që ato kanë për bashkëpunimin e ardhshëm në Evropë dhe më gjerë. Ai vuri në dukje se bashkëpunimi me partnerët, veçanërisht në aspektin operacional, merr një vlerë të re në kontekstin aktual të domosdoshmërisë së përballimit të sfidave aktuale të sigurisë në lindje dhe në jug të Aleancës, sikundër dhe mbështeti vizionin e ardhshëm të NATO-s,  për t’i ofruar partnerëve më shumë mbështetje politike dhe praktike në të ardhmen.

Në takimin që Ministrat e Jashtëm të Aleancës dhe partnerët operacionalë në Misionin “Resolute Support” zhvilluan me Presidentin e Afganistanit Ghani dhe Shefin e Ekzekutivit Abdullah, u diskutua lidhur me përfundimin më 31 dhjetor 2014 të  misionit ISAF në Afganistan dhe rëndësinë e misionit të ri të NATO-s “Resolute Support” atje, i cili fillon më 1 janar 2015.

bushati nato

Ministri Bushati përshëndeti udhëheqjen e re afgane për hapat e marra për nënshkrimin dhe ratifikimin në një kohë shumë të shpejtë të marrëveshjeve në fushën e sigurisë BSA dhe SOFA, si dhe shprehu besimin se do të vijojnë reformat e rëndësishme në vend. Në vijim, Ministri Bushati  vlerësoi ndihmën e dhënë nga vendet kontribuuese në misionin ISAF, duke theksuar faktin se Shqipëria ka qenë pjesë e këtij misioni që në fillimet e tij, duke u angazhuar me trupa ushtarake në terren dhe me asistencë në fusha të ndryshme. Po ashtu, Ministri Bushati shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të qenë pjesë e misionit të ri “Resolute Support” të NATO-s në Afganistan duke kontribuuar me 41 ushtarakë, prej të cilëve 11 oficerë shtabi dhe një togë efektivësh për mbrojtje.

Ndërkohë, darka e punës e Ministrave të Punëve të Jashtme,  iu kushtua sfidave aktuale të sigurisë dhe angazhimit të vendeve të NATO-s në përballimin e tyre.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

VIDEO-LAJM/ Ezani i parë pas përurimit të Xhamisë së Namazgjasë! Imami Kalaja publikon pamjet nga brenda, bie në sy arkitektura mjeshtërore

VIDEO-LAJM/ Ezani i parë pas përurimit të Xhamisë së Namazgjasë! Imami Kalaja publikon pamjet nga brenda, bie në sy arkitektura mjeshtërore