Koalicioni në kohë krizash, viti i parë i qeverisjes së 'semaforit' në Gjermani

Koalicioni në kohë krizash, viti i parë i qeverisjes së 'semaforit' në Gjermani

Olaf Scholz

Kancelari Olaf Scholz u shpreh i kënaqur: Në video-mesazhin e tij të fundit, ai foli me maturi dhe në mënyrë reale për arritjet e qeverisë së tij në vitin e parë në detyrë. Mbështetja humanitare, financiare dhe me armë e Ukrainës, sigurimi i furnizimit me energji, promovimi ligjor i energjive të rinovueshme, lehtësimet financiare për qytetarët, rritja e pagave minimale dhe përfitimet e kategorive që kanë nevojë për ndihma sociale, janë disa nga rezultatet e arritura.

Formulimet e kancelarit: "Jemi kujdesur – ta bëjmë të mundur –jemi kujdesur të hedhim themelet”. Mesazhi midis rreshtave: Ne e kemi situatën nën kontroll - pavarësisht krizave, me të cilat asnjë qeveri federale nuk është dashur të përballet më parë. Nëse Olaf Scholzit do t'i jepte "koalicionit semaforik", siç quhet aleanca e SPD, të Gjelbërve dhe FDP-së sipas ngjyrave të tyre partiake, një notë shkollore, sigurisht që nuk do të ishte notë e keqe.

Zgjedhësit e pakënaqur

Shumë qytetarë i shohin gjërat ndryshe. Koalicioni semaforik ka disa muaj që nuk ka më shumicën në sondazhe. Në të njëjtën kohë janë shtuar edhe pakënaqësitë ndaj qeverisë. Vetëm një pakicë mendon ende se koalicioni po e bën mirë punën e tij.

Politologia Ursula Münch nuk dëshiron të gjykojë kaq ashpër. "Unë i jap qeverisë semaforike një notë të kënaqshme," tha për DW drejtorja e Akademisë për Edukimin Politik në Tutzing. Detyrat ishin të mëdha dhe të vështira. Në vend që të punonte thjesht për zbatimin e programit të koalicionit, koalicioni u detyrua të reagojë ndaj situatave të paparashikueshme dhe u largua nga "disa dogma politike".

Qeverisja në kohën e "kthesës së madhe"

Aleanca trepalëshe filloi punën më 8 dhjetor 2021 si një "koalicion progresiv”. U premtua se do të vemë të gjithë energjinë tonë në modernizimin e vendit, Gjermania duhet të bëhet më neutrale ndaj klimës, vendi duhet të dixhitalizohet dhe sa më shpejt. Në marrëveshjen e koalicionit parashikohen pikë për pikë projektet e nevojshme.

Por vetëm dy muaj e gjysmë pas marrjes së mandatit, bota ndryshoi. Rusia pushtoi Ukrainën dhe e detyroi botën të bëjë një kthesë të madhe. Kancelari e quaji këtë në Bundestag si "një pikë kthese". Pasoja e menjëhershme: Scholz njoftoi se do të ndahen 100 miliardë euro për Bundeswehrin dhe se Gjermania do të mbështesë Ukrainën.

Kancelari që ndryshoi doktrinat 

Thyerja e doktrinës së mëparshme shtetërore gjermane për mos dërgimin e armëve në zonat e krizës goditi SPD-në dhe të Gjelbërit në thelb. Për ta bërë këtë, ata duhej të braktisnin bindjet e tyre thellësisht pacifiste. Të Gjelbrit ia dolën dukshëm më mirë, ata tani janë ndër avokatët më të theksuar të dërgesave të armëve në Ukrainë. SPD dhe kancelari Scholz, nga ana tjetër, janë akuzuar prej kohësh se janë shumë hezitues.

Shkencëtarja e politikës Ursula Münch nuk e sheh kështu. "Ishte e drejtë të kërkohej një ekuilibër midis mbështetjes së Ukrainës dhe shqetësimit për përshkallëzimin e luftës." Është për të ardhur keq që si partnerët evropianë të Gjermanisë, ashtu edhe SHBA-të nuk janë ende të sigurt se "cilën strategji po ndjek në të vërtetë kancelari".

Heqja dorë nga gazi rus

Përgjigja ruse ndaj Gjermanisë për shkak të mbështetjes së Ukrainës nuk vonoi. Pak nga pak, Rusia ndërpreu furnizimin e Gjermanisë me gaz, e Gjermania ishte shumë e varur nga furnizimet me gaz rus. Në fund u ndërpre tërësisht furnizimi. Çmimet e energjisë u rritën jashtëzakonisht, rezultoi inflacioni më i lartë prej dekadash.

Pasojat ishin dramatike për shtetin, për ekonominë dhe për qytetarët, gjë që ka përcaktuar edhe veprimet e qeverisë. Janë hartuar tre paketa të ndihmave me një vëllim total prej rreth 100 miliardë euro. Përveç kësaj, është krijuar edhe një "mburojë mbrojtëse" ekonomike prej 200 miliardë eurosh për frenimin e çmimit të gazit, ngrohjes dhe energjisë elektrike. E të mos harrohen edhe fondet për kompanitë e prekura nga sanksionet apo lufta si dhe strehimi dhe kujdesi për rreth një milion refugjatë të luftës nga Ukraina, sa kanë ardhur në Gjermani.

Ndihmat e qeverisë dhe borxhet

Po të mblidhen të gjitha borxhet që i është detyruar të bëjë koalicioni në vitin e parë të mandatit, totali shkon në rreth 500 miliardë euro. Kancelari Scholz shpiku termin "goditje e dyfishtë" për këtë, bazuar në "goditjen" e parë kur ai shpalli ndihmën në kohën e pandemisë corona në vitit 2020 si ministër i Financave. Scholzi gjithmonë i matur, jo emocional, kishte nevojë për formulime kaq të fuqishme për të sqaruar gjendjen dramatike.

Për shkak të situatës së tensionuar financiare, shumë marrëveshje dhe projekte të koalicionit është dashur të shtyhen. Megjithatë të tre partnerët në koalicion kanë arritur t'i realizojnë disa nga projektet e tyre të rëndësishme, thotë Münch. SPD-ja ka arritur të reformojë ndihmat sociale, sigurimet shoqërore bazë dhe të rriten pagat minimale. "Të Gjelbrit mund të thonë se po i përmbahen largimit nga energjia bërthamore - por kjo tingëllon mirë vetëm për mbështetësit e tyre, jo edhe për shumicën e popullsisë."

FDP, e cila angazhohet për ristrukturimin e financave publike, e ka pasur më të vështirë të profilizohet: "Buxheti solid i shtetit është shumë larg ndërsa projektet e infrastrukturës do të zgjasin me vite”, thotë profesorja.

Ndërhyrja e kancelarit

Por Münch mendon se koalicioni ka humbur mbështetjen edhe për shkak të sfidave tepër të mëdha. "Për mendimin tim, qeveria shpesh ka humbur mbështetje për shkak të mosmarrëveshjeve rreth disa çështjeve themelore." Kur duhet të vendosnin për vazhdimin e jetëgjatësisë së termocentraleve bërthamore, partitë shkuan aq larg sa kancelarit iu desh të ndërhynte."

Sherri ka mundur të evitohet, përkundër faktit që tre partnerët kanë bindje të ndryshme politike për disa gjëra. SPD, të Gjelbrit dhe FDP, kishin premtuar se do të lënë mënjanë dallimet për të mirën e qëllimit të përbashkët dhe nuk do të flasin keq për njëri-tjetrin - veçanërisht jo në publik.

Kushtet e vështira për veprim dhe ndryshimet ekonomike

Kjo nuk funksionoi gjithmonë, në veçanti kur ndonjë prej partive në koalicion kishte përshtypjen se nuk po realizohen synimet e saj. Grindjet mes partive ishin të shpeshta për çështje të ndryshme. Kjo ka ndikuar në rritjen apo uljen e mbështetjes së kancelarit dhe ministrave në kohëra të ndryshme. 

Ishte kjo koha e shpërthimit të çmimeve të energjisë dhe kjo bëri të qartë se pa ndërhyrjen e shtetit nuk mund të përballohet gjendja. Futja e kufizimit të çmimeve të gazit dhe energjisë erdhi si pasojë e gjendjes. Por Ursula Münch mendon se kjo nuk është zgjidhje e mirë. "Kostot e energjisë po subvencionohen, por njëkohësisht po bëhet pak për të rritur ofertën e energjisë së ripërtëritshme."

Sidoqoftë, koalicioni duhet të mendojë ndonjë koncept tjetër dhe jo vetëm të shpenzojë gjithnjë e më shumë para. "Në të ardhmen, krizat dhe frika e popullsisë nga inflacioni nuk do të mund të kapërcehen vetëm me pagesa të kushtueshme të transfertave”.

Në vitin 2023 mund të jetë edhe më e vështirë

Ministri Federal i Financave dhe kreu i FDP-së, Christian Lindner dëshiron që buxheti vitin e ardhshëm të projektohet mbi baza të ekonomisë së shëndetshme dhe të respektojë frenimin e borxhit. A mund të funksionojë kjo? Mungesa e energjisë do të vazhdojë. Kur të zbrazen rezervuarët e gazit në pranverë, duhen gjetur mënyra të tjera për t'i mbushur përsëri deri në fund të vjeshtës. Një detyrë aspak e lehtë, pa gazin nga Rusia.

Inflacioni do të mbetet i lartë për një kohë të caktuar, ndërsa recesioni është i pashmangshëm. Në vitin e saj të dytë në detyrë, qeveria federale mund të përballet me më shumë sfida se në vitin e parë. Për kancelarin, kjo do të thotë një detyrë e vështirë për të mbajtur koalicionin unik dhe në rrugën e duhur. Olaf Scholzi ndoshta do t'i qaset këtyre problemeve si gjithmonë në karrierën e tij politike prej dekadash: pa tepër emocione, stoik dhe ndonjëherë pak kokëfortë./DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?