Për vendimin e djeshëm të qeverisë për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave, Petro Koçi thotë se ishte një detyrim moral i qeverisë, ndërsa duhen rregullime në ligj që të përfitojnë edhe familjarët e viktimave të Gërdecit.
"Vendimi ka qenë i kondicionuar nga procesi gjyqësor. Ishte momenti i duhur për të zbatuar vendimin e gjykatës, por ishte edhe detyrimi moral i qeverisë për familjet e viktimave.
Edhe për Gërdecin ka një seri vendimesh gjyqësore, kështu që duhet një ndërhyrje në ligj për të rregulluar këtë marrëdhënie mes rasteve kur viktimat vijnë si pasojë e veprimtarisë së paligjshme, lind detyrimi për dëmshpërblim" tha ai.
Përsa i përket hapjes së dosjes së '21 Janarit', ai u shpreh se nuk ka shumë besim se drejtësia do të bëjnë ndonjë çudi të madhe, por tha se beson se do të ketë një drejtësi morale.
"Për mua është një cështje që hapet kurdo herë dhe jo vetëm kjo, por edhe të tjera si Rruga e Kombit dhe të tjera.
Nuk shpresoj që do të vijë një drejtësi që do të bëjë çuditë e mëdha, por besoj që do të kemi një drejtësi normale' tha ai.
Ndërsa duke u ndalur te koalicioni, Koçi deklaroi se pavarësisht debateve nuk vendoset në pikëpyetje, pasi fitorja është e garantuar.
"LSI nuk ka interes të jetë jashtë koalicionit, e vetmja rrugë që i sjell më shumë vota është me koalicionin.
Përsa i përket votimit elektronik për mua është problematik, pasi nuk e kanë as të tjerët, por mendoj të aplikohet në zgjedhjet vendore.
Për mua më shumë vëmendja duhet të ishte përqendruar te numërimi elektronik".
Zv/ ministri i Mbrojtjes komentoi edhe provokimet serbe në rajon me trenin që nisi nga Beogradi në Mitrovicë.
"Treni shkonte drejt të shkuarës, por që e ndali Kosova. Serbia është e frymëzuar nga Rusia.
Forcat e armatosura shqiptare vazhdojnë që të modernizohen, të pajisjen me mjete të fundit.
Gjithsesi nuk jemi në një situatë ku të vihet në pikëpyetje rendi në rajon.
Shqipëria së shpejti do të jetë prezente në vendet Balltike me forcat e saj" përfundoi ai.
dy.b/shqiptarja.com