Ndërsa në lidhje me ndikimin që mund të ketë kandidimi i ish-deputetit të PS, Gjovalin Kadeli për “ngjyrat” e PD Kodheli shprehet se nuk e mendon fare ndikimin. Ndërkohë teksa ka anashkaluar deklaratat e deputetit të LSI Nasip Naço në Berat për Metën kryeministër, kryesuesja e listës së kandidatëve të PS në qarkun e Lezhës është shprehur se Rama ka një kontratë me njerëzit, të cilën do ta respektojnë deri në fund.
Referuar dhe deklaratave të Ramës se si kryeministër i ardhshëm i vendit do të qeverisë ndryshe në shërbim të qytetarëve duke bërë shtet dhe duke e sjellë atë te njerëzit. Kodheli beson se koalicioni me LSI dhe partitë e tjera aleate do të funksionojë në funksion të fitores së madhe të së majtës së bashkuar, të cilën kanë vite që qytetarët shqiptarë e presin.
Zonja Kodheli, kryesoni listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Lezhës! Përballë keni kryetarin e PD të Tiranës Aldo Bumci i cili kryeson listën e PD në këtë qark. Si po ecën fushata dhe cilat janë përparësitë e opozitës?
Edhe pse PD e qeveris prej tetë vitesh dhe në shumicë këtë qark, Lezha për fat të keq mbetet një ndër zonat më të varfëra në Shqipëri. Në statistikat zyrtare një familje fermere lezhjane jeton me të ardhura vetëm 200 USD në muaj. Imagjinoni çdo të thotë kjo: më pak se 7 dollarë të ardhura në ditë për familje.
Pra një familje që jeton në zonat rurale të këtij qarku e përbërë prej minimumi 5 vetë, duhet që me 7 dollarë të ushqehet, vishet, ngrohet, udhëtojë, mësojë, kurohet.. të blejë farën, naftën, urenë... të paguajë taksën e tokës, atë të pastrimit, sigurime. Edhe ku? Në një prej tokave dikur më pjellore të vendit. Ka edhe më shume se kaq.
Fëmijët e Qarkut Lezhë janë, gjithmonë sipas statistikave zyrtare, në përqindje ndaj popullsisë, më shumë se çdo qark tjetër, analfabete. Edhe ku? Në një vend që ka qënë burim talentesh, burim intelektualësh. Lezha përmbytet. Lezha ka numrin më të lartë të aksidenteve në rrugë, të krimit me pasojë vrasjen. Lezha ka zero investim në një prej porteve më të rëndësishëm në vend, Shengjinit.
Nuk besoj se do e kaloni pa përmendur Kalanë e Lezhës...?
...dhe si të mos mjaftonte kaq, apo shumë më shumë se kaq Lezhës Këshilli i Ministrave i ka nxjerrë në shitje dhe kalanë, simbolin e identitet të saj. E ka dhënë atë një muaj përpara zgjedhjeve me koncesion për 20 vjet, në një kohë kur qeveria franceze asiston arkeologët tanë e të huaj dhe ka shpenzuar e vazhdon të shpenzojë qindra mijëra euro për të gërmuar atje, pasi kalasë së Lezhës i ekspozohet vetëm një pjesë fare e vogël e saj dhe e historisë së saj.
Për të gjitha këto dhe për të gjithë lezhjanet, mirditorët e kurbinasit, PS ka një përgjigje dhe do të ketë një zgjidhje. Ndaj dhe fushata po ecën mirë, madje shumë shumë mirë.
Në krahun e opozitës tashmë është ish-kryetarja e FRESSH Monika Kryemadhi, përfaqësuese e LSI në këtë qark. Si po ecën bashkëpunimi dhe sa po thithet nga baza kjo aleancë?
Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane është koalicioni më i madh në këto zgjedhje. Ne jemi më të bindur se kurrë që e majta progresiste do triumfojë, pasi vendi ka nevojë për një filozofi të bazuar në një rishpëndarje më të mirë të të ardhurave, vendi ka nevojë për shumë më shumë shërbime të cilat duhen ofruar sipas nevojës dhe jo sipas xhepit.
Vendi ka nevojë për shumë më shumë dije për të gjithë, vendi ka nevojë për shumë më shumë punë për të gjithë. Kjo mund dhe do të behet. Ky koalicion me PS në kryesim të tij, është garancia që i duhet Shqipërisë për qeverisjen e punëve të saj, në vitet në vazhdim.
Ditë më parë deputeti i LSI Nasip Naço deklaroi se dhe Meta është kandidat për kryeministër. Një deklaratë e tillë ka ndikuar në fushatën e opozitës apo në marrëdhëniet në bazë mes PS dhe LSI?
PS do t’i sigurojë njerëzve, me ardhjen e saj në pushtet, atë që prej shumë vitesh i është premtuar nga politika dhe nuk është mbajtur: Njerëzit duan drejtësi dhe dinjitet, shpresë dhe respekt, punë dhe siguri.
Ne do të vëmë në shërbim të tyre çdo vlerë dhe energji që forca ime politike ka në dispozicion të saj. Kontratën që Edi Rama ka firmosur me njerëzit do ta respektojmë dhe zbatojmë deri në një.
Tashmë në listën e kandidatëve për deputetë të PD në qarkun e Lezhës kandidon ish-deputeti socialist Gjovalin Kadeli. Mendoni se mund të krijojë shkëputje votash nga e majta dhe kalimi në të djathtë dhe sa ndikon në rezultat?
Jo nuk e mendoj.
Deri më tani është zhvilluar një fushatë e qetë në këtë qark. Ndërsa PS dhe aleatët kanë pothuajse të gjitha bashkitë e qarkut, cili është objektivi juaj i arritshëm më 23 qershor të këtij viti në garën elektyorale për PS dhe për opozitën?
Objektivi ynë mund të duket i guximshëm por jo i paarritshëm. Ai është të marrim 5 deputetë të majtë në qark. Dhe besoj fort se nuk ka asgjë të pamundur, sidomos kur forca që ka qeverisur këta tetë vjet ka punuar kaq keq, por pa dyshim edhe pse programi qeverisës “Për një Rilindje Shqiptare” është më i miri i shkruar ndonjëherë në këto 20 apo me shumë vite pluralizëm.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)