Ministrja Kodheli e falënderoi ministren, Leyen për ndihmën që Gjermania ka dhënë ndër vite për edukimin dhe trajnimin e personelit ushtarak shqiptar dhe në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar, shprehu falënderimet për qeverinë gjermane, për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO dhe sidomos në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
Duke folur lidhur me përpjekjet integruese të Shqipërisë drejt BE, Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë Ursula von der Leyen tha se, “reformat janë të vështira, por puna që ka bërë qeveria juaj, është e dukshme dhe ne ju përgëzojmë”.
Ministrja Kodheli vlerësoi ato që ajo i quajti “përpjekje të jashtëzakonshme” të qeverisë gjermane për të ofruar mbështetje të sigurt për mijëra refugjatë që vijnë nga Lindja e Mesme. “Shqipëria nuk është prekur ende nga kjo krizë, por qëndron e gatshme për të kontribuuar në përputhje me kapacitetet tona, si pjesë e një zgjidhje evropiane të koordinuar” u shpreh Kodheli.
Dy bashkëbisedueset mirëpritën vendimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s për të nisur një operacion në Detin Egje, për të ndihmuar në çështjen e refugjatëve dhe Ministrja Kodheli shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të vënë në dispozicion të këtij operacioni, asetet e Forcës Detare të Shqipërisë.
Sa i përket sfidave më të fundit të sigurisë, Ministrja Kodheli tha se “ “Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e gatshme për të dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për koalicionin kundër organizatës terroriste DAESH, duke e konsideruar një rrezik serioz jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën”.
Duke vlerësuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s, bashkëbisedueset mirëpritën ftesën për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë, si dhe shprehën mbështetjen për integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë. Misionin e KFOR-it në Kosovë, Kodheli e cilësoi si një “Histori suksesi” të NATO-s dhe falënderoi Ministren Leyen, për kontributin dhe praninë e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura gjermane në këtë mision, si dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë i pranishëm në Kosovë, për aq kohë sa të kërkohet.
Ministrja Kodheli gjithashtu u takua me këshilltarin ushtarak në qeverinë federale gjermane, gjeneral brigade Andreas Delp, kryetarin e Komisionit parlamentar të Mbrojtjes në Parlamentin gjerman, z. Wolfgang Hellmich dhe komisionerin ushtarak të Parlamentit Hans-Peter Bartels.
Në këto takime ministrja Kodheli shprehu falënderime për mbështetjen që Gjermania ka dhënë dhe jep për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe siguroi angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e reformave.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)