Kodheli ndryshon ligjin për FA
më shumë kompetenca Nishanit

Kodheli ndryshon ligjin për FA<br />më shumë kompetenca Nishanit
TIRANË -Ministria e Mbrojtjes ka ribërë ligjin për drejtimin e Forcave të Armatosura, pas rrëzimit të variantit të parë të tij nga Gjykata Kushtetuese. Varianti i ri i sjellë në Kuvend, parashikon zgjerimin e disa kompetencave të favor të Presidentit të Republikës, dhe ngushtimin e disa të drejtave të Kryeministrit mbi ushtrinë.

Zëvendës ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi prezantoi ndryshimet përpara Komisionit të Ligjeve. “Në reflektim të këtyre ndryshimeve që ka bërë Gjykata Kushtetuese, qeveria ka ndërmarrë këtë projektligj. Çështja e parë që ndryshon është dhënia e kompetencës së Presidentit që në kohë lufte të ushtrojë drejtpërdrejt drejtimin e Forcave të Armatosura.

Ndryshimi i dytë ka të bëjë me një nen tjetër që përcakton kompetencën e Presidentit të Republikës, për të liruar dhe shkarkuar me propozim të Ministrit të Mbrojtjes Komandantët e Forcave tokësore, detare dhe ajrore, duke i shtuar të drejtën e nxjerrjes në rezervë apo në lirim. Kompetencë kjo që në variantin fillestar i lihej Kryeministrit. Ndryshimi i tretë i jep Presidentit të drejtën e miratimit me propozim të ministrit të mbrojtjes planin e përhapjes së FA në kohë paqeje.

Ndryshimi i katërt është dhënia e kompetencave për kryeministrin, i cili mund të lirojë apo të nxjerrë në rezervë oficerë me grada madhore, me përjashtim të komandantëve të forcave tokësore, ajrore e ujore dhe të Komandantit të FA. Më parë këtu përjashtohej vetëm Shefi i Shtabit të FA,”-tha Koçi. Por opozita nuk u duk e kënaqur me këtë ndërhyrje ligjore, duke kërkuar konsultim me Presidentin. “Ju e keni konsultuar këtë draft me Presidentin e Republikës? Se keni bërë sherr për këtë çështje.

Komandantit të Përgjithshëm të FA i keni marrë mendim, apo e ka bërë kryeministri?”-tha deputeti demokrat Eduard Halimi. Zëvendës ministri Koçi tha se një gjë e tillë nuk është në praktikën ligjbërëse. “Ne respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj kemi reaguar me këto ndryshime të sjella para jush. Nuk është në procedurë normale të hartimit të projektligjeve konsultimi me presidentin. Është një akt ekskluziv i qeverisë të propozojë projektligje kur janë iniciativë e saj,”- u shpreh Koçi.

Eduard Halimi kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit deri në marrjen e një mendimi nga presidenti, kërkesë kjo e rrëzuar me propozim të Pandeli Majkos. “T’i marrim mendim dhe opinion Presidentit të Republikës si Komandat i FA. Qeveria nuk e ka bërë me arrogancë këtë, por kjo nuk do të thotë se ne duhet t’i bëjmë aferim kryeministrit për çdo projektligj që sjell këtu. Ligji nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese,”- tha Halimi. “Kam qenë një nga njerëzit që nuk e kam votuar ligjin. Vendimet e gjykatës, nuk konsultohen por zbatohen”,- u shpreh socialisti Pandeli Majko. Në përfundim projektligji u miratua nga Komisioni i Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës.

Debatet në Komisionin e Ligjeve.
Eduart Halimi: Komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura i keni çuar draftin, i keni marrë mendim apo e keni bërë vetë.
 
Petro Koçi: Nuk është në praktikën dhe në proçedurën normale të hartimit të projektligjeve konsultimi me Presidentin e Republikës.

Eduart HalimiKryeministri thotë ka këto detyra dhe përgjegjësi: Nxjerr në rezerve dhe në lirim me propozim të Ministrit të Mbojtjes oficerët me grada madhore me përjashtim të komandantëve të Forcave të Armatosura tokësore. Hapim lexojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë të gjithë i ka presidenti , në përmbajtje ky ligj nuk implementon vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pandeli Majko: Vendimet e gjykatës si parim, lërë pastaj vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk konsultohen thjesht zbatohen prandaj ky debat në këtë ditë më temperatura afrikane nuk duhet të kthehet në debat që tejkalon limitet e temperaturës.

Eduart Halimi: Kryeministri me shenja të forta me tipare të forta të autoritarizmit ashtu siç e ka nisur duke kapur çdo institucion donte të bëheshe edhe komandant i Forcave të Armatosura.

Akuzave të opozitës ndaj kryeministrit të vendit i ka kthyer përgjigje deputeti socialist Bashkim Fino: Po tani ça të them unë që kryeministri është kryetar partie dhe kryeministër me 1 milion vota të shqiptarëve dhe ça të them unë që presidenti i republikës është president me 71 vota. Ndryshim i madh shumë ky apo jo dhe prapë nuk ka arrogancë prapë ka kokëulje në kukptimin që rrespekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gent Strazimiri: Jeni krejtësisht jashtë loje këtu nuk ka lidhje me 1 milion vota as me 71 vota këtu është kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila duhet zbatuar pikë për pikë nga e cili do qoftë dhe 2 milion vota të marri.
 
Përtej debateve, mazhoranca ka miratuar ndryshimet për ligjin për pushtetet dhe autoritetet në drejtimet e komandimit të forcave të armatosura vetëm me votat pro të mazhorancës.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiprtarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Përmbytet Vlora, shikoni garazhet e pallateve në Lungomare të mbushura me ujë

VIDEOLAJM/ Përmbytet Vlora, shikoni garazhet e pallateve në Lungomare të mbushura me ujë