TIRANË - Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli organizon “Ditën e hapur për publikun”, ku të ftuarit kryesorë ka fëmijët. E pikërisht ata të shkollës shkollës 9-vjeçare “Mustafa Kemal Ataturk” në Zall-Herr.

Kjo në prag të festave të fundvitit, në Batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr, ku ishin të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë drejtorish dhe ushtarakë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA, e të ftuar të tjerë.

“Sot është një ditë e veçantë për ju. E di që bëni shumë eskursione, por shumëkush prej jush nuk ka ardhur në një njësi ushtarake për të parë nga afër se çfarë bën pjesa më e mirë e Forcave të Armatosura Shqiptare në ruajtjen tuaj, të familjeve tuaja dhe atdheut”, u shpreh ministrja Kodheli.  

"Shumë prej nesh këtu, - ka vijuar më tej Kodheli, - kur kanë qenë në moshën tuaj kanë pasur një tjetër perceptim për ushtrinë. Që në moshën 14 vjeç ne na jepej një pushkë druri në krahë dhe mundoheshim të silleshim si ushtarë të vegjël. Sot kjo nuk është e nevojshme, sepse sot vendi, jeta juaj, e ardhmja juaj mbrohet nga ushtarë profesionistë, ushtarakë të përgatitur, të cilët janë vetëm në funksion të së sotmes dhe të ardhmes tuaj sa më të sigurt”.

Duke iu drejtuar edhe njëherë fëmijëve, ministrja Kodheli theksoi: “Unë shpresoj që të kaloni një ditë të mirë, të keni se çfarë të tregoni kur të ktheheni pranë familjeve dhe prindërve tuaj. Uroj që kur të rriteni dhe pak, të vijë një ditë që shumëkush prej jush të ketë dëshirën të jetë pjesë e Forcave të Armatosura, të jetë pjesë e një karriere, e cila mund t’ju mundësojë  një të ardhme më të mirë, duke qenë pjesë e këtyre forcave. Këtë mund ta mbërrini vetëm duke mësuar, studiuar dhe duke u përpjekur të jeni fëmijë të mirë për prindërit tuaj, për veten tuaj, shokët dhe shoqet tuaja dhe në këtë mënyrë të bëheni pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare në ditët dhe vitet që do të vijnë”, - ka përfunduar fjalën e saj ministrja Kodheli.  

Fëmijët e pranishëm i përshëndeti edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo. Në fund të këtij aktiviteti fëmijët dhe të pranishmit e tjerë ndoqën nga afër një kompleks demonstrimesh ushtarake, të cilat u realizuan nga trupat e Batalionit të Forcave Speciale.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)