Kodi i ri i Procedurës Penale
gjyqtarja: Të drejta qytetarit 

Kodi i ri i Procedurës Penale<br />gjyqtarja: Të drejta qytetarit 
Nga dita e sotme sistemi i drejtësisë do përballet me ndryshim të Kodit të Procedurës Penale. Njëherësh nga sot pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë marë lejat vjetore, për tu rikthyer në shtator, me ndryshme radikale në punën e tyre.

Futja në zbatim e K.Pr.Penale ka sjellë ndarjen e juristëve, gjyqtarëve dhe prokurove, ku disa i kanë kritikuar këto ndryshime, disa të tjerë i shohim me optimizëm. Sonjela Voskopi, gjyqtarja e Korçës në një intervistë për “Shqiptarja.com” thotë se hyrja në fuqi e ndryshimeve të K.Pr.Penale i ka dhënë shumë të drejta qytetarit të dëmtuar nga vepra penale. Sipas gjyqtares, ndryshimet e reja mund të sjellin volum të madh pune në sistemin gjyqësor dhe për pasojë koha do tregojë që mund të duhet shtim të numrit të gjyqtarëve.

Ndërsa për sa i përket produktivitetit të zbardhjes së ngjarjeve kriminale dhe nivelit të korrupsionit në drejtësi gjyqtarja Voskopi thotë se:”... do të sjellin produktivitet në zbardhjen e dosjeve por në lidhje me nivelin e korrupsionit nuk mendoj se ekzistenca ose jo e tij, apo shkalla e përhapjes ka lidhje me ligjin procedurial penal...”.

Zj. gjyqtare, në 1 gusht 2017 hyjnë në fuqi ndryshimet e reja të K.Pr.Penale. Duke marrë në konsideratë që 100 për qind të veprimeve hetimore të prokurorisë do monitorohen nga gjykata, a është i përgatitur gjyqësori dhe a ka kapacitetet njerëzore të përballojë këtë ndryshim radikal pune? Pasi me fillimin e shtatorit, dihet që gjykata do përballet me një volum relacionesh nga prokuroria për dosjet e pushuara, pezulluara, të mosfilluara dhe dosje për gjykim?
Implementi i një ligji në fillimet e para sjell vështirësi organizative të cilat janë të natyrshme, për më tepër që ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kanë sjellë shumë ndryshme në koncep dhe në institutet e reja që janë parashikuar, si ai i gjyqtarit të seancës parprake etj. Pavaresisht ngarkesës në punë zbatimi i kësaj procedure është detyrim ligjor dhe puna do të organizohet në mënyrë të tillë që të zbatohen afatet e Kodit, të vendosura në funksion të të drejtës për një vendimmarrje objektive brenda një kohe të arsyeshme, si komponent i të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor. Është i vërtetë definicioni Juaj, se veprimet hetimore të prokurorisë do të monitorohen nga Gjykata, por nga ana tjetër disa lloj gjykimesh që bëheshin me dyer të hapura dhe në seancë duke u dëgjuar palët, janë parashikuar si gjykime për të cilat gjyqtari do të disponojë me vendim në dhomë këshillimi, duke kursyer në kohë dhe veprime organizative, kohë që mund ta shfrytëzojë për të përballuar volumin e punës në rritje, apo për kundravajtjet penale gjyqtari ka të drejtë të miratojë ose rrëzojë urdhërin penal të nxjerrë nga prokurori, në dhomë këshillimi. Ndërkohë që me procedurën në fuqi gjykimi bëhej me dyer të hapura, merrte disa seanca. Kujtoj që jemi në fazën e studimeve për të përcaktuar rrethet gjyqësore, degët e gjykatës, numrin e gjyqtarëve për çdo rreth, sipas ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe besoj se rritja e ngarkesës në punë për shkak të ndryshimeve të reja në K.Pr.Penale do të merret në konsideratë nga hartuesit e projektit për rrethet e reja gjyqësore për të rritur numrin e gjyqtarëve ose për të zvogëluar atë, në varësi të ngarkesës në punë.

Me ndryshimet e reja proceduriale, cili do jetë raporti i gjykatës me qytetarin, gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit paraprak? Pra jo në fazën e gjykimit në themel?
Besoj se pyetja ka lidhje me qytetarin si i dëmtuar, për të qënë me e saktë, qytetarin viktimë, pasi ky është termi i ri i përdorur në K.Pr.Penale për të përkufizuar personin fizik, juridik apo shtetit, si të dëmtuar nga kryerja e veprës penale nga subjekti aktiv kriminal. Gjatë hetimeve paraprake dhe në seancën paraprake thirrja e viktimës, për t’u dëgjuar është një detyrim ligjor. Viktima është e ndarë në disa kategori: viktima, viktima e mitur, viktima e abuzuar seksualisht dhe e trafikimit të qënieve njerëzore, në referim të neneve 58,58/a dhe 58/b të K.Pr.Penale.Ndërsa kategoria e dytë e viktimave ka të drejta shtesë, përveç të drejtave të viktimës në përgjithësi. Ka të drejtë të zgjedhë mbrojtës, të njoftohet për fillimin e hetimeve, përfundimin e tyre, mosfillimin ose pushimin, të informohet në çdo kohë për gjëndjen e procedimit dhe të njihet me provat (pa cënuar parimin e sekretit hetimor) të informohet për arrestimin e të akuzuarit si dhe të thirret në seancën paraprake dhe në seancën e parë gjyqësore të gjykimit të çështjes në themel.

Ndryshimet proceduriale vendosin gjykatën si institucionin që do kontrollojë çdo veprim hetimor të prokurorisë dhe do saktësojë detyra për prokurorin. Mos ndoshta kjo faza e parë e gjykimit të cështjes, ku në proces sigurisht do jetë dhe avokati i personave të dyshuar si autorë të veprës penale, mund të sjellë dekonspirimin e veprimeve të prokurorisë, pasi mund të jetë në diskutim urdhërimi i marjes së një prove të rëndësishme ose pyetja e një dëshmitari të rëndësishëm?
Nuk vlerësoj se fryma e re e K.Pr.Penale passjell “dekonspirim” të veprimeve të prokurorisë që përbëjnë sekret hetimor. Thelbi qëndron në faktin se veprimet hetimore do të kontrollohen gjatë seancës paraprake, në të cilën gjykata miraton kërkesën për gjykim apo i’a kthen çështjen prokurorit sipas nenit 332/ç te K.Pr.Penale, nëse çmon se hetimet janë të paplota dhe para kësaj seance hetimet që ishin të nevojshme sipas prokurorit janë përfunduar dhe i pandehuri është njohur me aktet. Pra, para momentit të sjelljes së çështjes në gjykatë të pandehurit i ka lindur e drejta të njihet me tërë provat,përfshi dhe rezultatet e përgjimeve, e drejtë që i lind që në momentin e komunikimit të akuzës.

Gjithashtu Kodi thotë se në përfundim të hetimeve, prokurori duhet të njoftojë dhe të njohë me aktet dhe palën e dëmtuar nga vepra penale objekt hetimi. Sa e vështirëson kjo dispozitë çuarjen e dosjes në gjykatë për gjykim, pasi personi i dëmtuar mund të mos marë në kohë njoftimin e prokurorisë por njëherësh afatet hetimore kalojnë?
Nuk çmoj se e veshtirëson shumë. Duke patur parasysh se është shtuar dhe ky detyrim ligjor, përfaqesuesit e organit të prokurorisë do të dinë se si t’i menaxhojnë më mirë afatet kohore, pra të llogaritin se në afatin të dhënë nga ligji kanë dhe këtë veprim tjetër për të kryer. Për më tepër që në shumë raste viktimat nga veprat penale, sidomos nga ato vepra që janë shumë të përhapura në praktike si vjedhja, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, plagosjet me dashje, me pasoja të rënda ose të lehta, janë të interesuar për ecurinë e procesit,e procedimin e fajtorit dhe për rrjedhim interesohen vetë në mënyrë të herëpashershme, pa patur shumë vështirësi në komunikim me ta.

Në rastet kur i dëmtuari nga vepra penale nuk është vënë në dijeni nga prokuroria se çështja ndaj të pandehurit “X” do shkojë për gjykim, gjyqtari që monitorin hetimin në fazën paraprake, ka të drejtë ta kthejë mbrasht kërkesën për dërgimin e dosjes në gjykatë, duke e konsideruar momentin e mos marjes së dijenisë të të dëmtuarit, si shkelje të procedurës penale?
Jo gjithmonë mosmarrja dijeni e viktimës është shkelje e rëndë proceduriale që passjell automatikisht kthimin e çështjes në prokurori. Çështja mund të kthehet në prokurori nëse akti procedurial është i pavlefshëm për shkak të mospjesëmarrjes së viktimës, kur prania është e detyrueshme dhe me rënien e këtij akti dhe papërdorshëmrisë së provës që buron prej tij, ka nevojë për hetime të tjera, por mund të miratohet kërkesa për gjykim, pasi gjykata mund të vlerësojë se akuza mund të qëndrojë dhe pas shpalljes së pavlefshmërisë së këtij akti, pavlefshmëri që buron nga mosnjoftimi i viktimës kur pjesëmarrja është e detyrueshme. Mosthirrja e viktimës mund të “rikuperohet” pasi në seancën e veprimeve paraprake, në aplikim të nenit 332/a, pika 1 të K.Pr.Penale viktima ose trashëgimtarët e tij thirren kur identiteti i tyre dhe vendbanimet rezultojnë në aktet e procedimit. Si dhe viktima njoftohet për seancën e parë të gjykimit. Megjithatë mbetet për t’u parë se si do të interpretohet ligji procedurial penal nga trupa gjyqësore dhe për më tepër nga kolegjet penale të Gjykatës së Lartë, vendimmarrja e të cilave, pas ndryshimeve të Kushtetutës, të mishëruara edhe në K.Pr.Penale është unifikuese në çdo rast.

Mendoni se ndryshimet që hyjnë në fuqi, do sjellin produktivitet në zbardhjen e dosjeve kriminale dhe uljen e nivelit të korrupsionit në drejtësi?
Besoj se do të sjellin produktivitet në zbardhjen e dosjeve por në lidhje me nivelin e korrupsionit nuk mendoj se ekzistenca ose jo e tij, apo shkalla e përhapjes ka lidhje me ligjin procedurial penal, procedurat, afatet dhe llojet e vendimmarrjes që ai parashikon. Nuk mund të funksionojë ideja P.Sh që të monitorojmë prokurorin nga gjykata, e shprehur në gjuhën popullore “të mos i lemë gjë në dorë” që të mos ketë mundësi të korruptohet. Korrupsioni përbën vepër penale, e dënueshme penalisht dhe ai që merr përsipër të shkelë ligjin, nuk pengohet apo stimulohet nga rregullimet ligjore.

Pas hyrjes në fuqi të Kodit të Pr.Penale, gjykata e Korçës për sa çështje do shpallë moskopetencën?
Gjykata e Korçës nuk ka çështje në gjykim, kompetenca e gjykimit të së cilave i kalon Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Zj.Gjyqtare, ju në Korçë po eksperimentoni projektin e “Oficerit gjyqësor”, që mban marëdhëniet me publikun dhe median. Nga 1-shi deri tek 10-ta, sa ka ndikuar ky funksion në hapjen dhe transparencën e gjykatës së Korçës në raport me qytetarin dhe median?
Është e vështirë të vlerësosh punën e institucionit ku vetë punon. Një vlerësim më të mirë do të bënte publiku ose Juve si media, për të krahasuar se si ofrohet shërbimi dhe komunikimi me median në Gjykatën e Korçës dhe gjykatat e tjera. Me modesti do ta vlerësoja me notën 8 se patjetër që në çdo rast e situate ka vend për përmirësim, por Gjykata ka bërë përpjekjet maksimale që t’i ofrojë shërbim qytetarit të interesuar gjatë 8 orëve të punës. Në bashkëpunim me disa partnerë të huaj janë implementuar projekte, një prej të cilëve iu referoheni dhe Juve ku me fonde te USAID është punësuar një punonjëse që ka objekt të punës së saj komunikimin me qytetarët për çdo problem që ata kanë dhe me median gjithashtu.Nëse media paraqet kërkesë mbi një çështje konkrete informohet menjëhere mbi gjykimin dhe i ofrohet dhe aksesi i prezencës në seancë, kuptohet brenda kufizime të vendosura në urdhërin e Ministrit të Drejtësisë që ka miratuar Rregulloren “Për marrëdhëniet e Gjykatës  me Mediat”. Janë botuar dhe janë në dispozicion të publikut në çdo kohë fletë-palosje që ata të njihen me shërbimet që ofron gjykata, me mënyrën se si mund të përfitojnë nga këto shërbime dhe procedurat gjyqësore. Apo në gjykatë ekziston një libër ku pasqyrohen ankesat në komunikim ose më gjerë të administratës me publikun.

Dosjet e deputetëve shkojnë tek Krimet e Rënda e tek Tirana
Hyrja në fuqi e Kodit të Procedurës Penale, do sjellë ndryshimin radikal të hetimit dhe gjykimit në një dosje penale. Tashmë nuk do jetë më prokuroria ajo që do vendosë pushimin e një kallëzimi penal, pa u kontrolluar mirë nga ana e gjykatës respektive.
 
Me hyrjen në fuqi të K.Pr.Penale pritet që në muajin shtator, dosjet e deputetëve si Tom Doshi (dy dosje), Alfred Peza, të transferohen nga Gjykata e Lartë për gjykim në gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda.
 
Kjo pasi akuzat për të cilat deputetët akuzohen nuk do jenë objekt i kësaj gjykate, por i gjykatave të tjera. Po ashtu, sipas ndryshimeve të legjislacionit penal shumë çështje me tematikë korrupsionin, do i kalojnë për hetim dhe gjykim, Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe më pas SPAK-ut, që pritet të ngrihet si institucion i ri në muajt në vazhdim.Me ndryshimet e reja, prokurorëve do ti duhet të shkojnë më tepër në gjykatë, ndërsa gjykatës do ti duhet të përballojë një fluks më të madh pune.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë