Ministria e Financave ka propozuar një seri ndryshimesh në Kodin penal, të cilat ashpërsojnë ndjeshëm dënimet për veprat e evazionit fiskal dhe kontrabandës. Tashmë, ushtrimi i aktivitetit të biznesit pa u regjistruar në organet tatimore mund të dënohet me burg deri në tre vjet.

Ndërkohë, Kodi Penal parashikon dënimin me burg deri në shtatë vjet për ata punonjës të administratës tatimore që nuk kryejnë detyrën në mbledhjen e të ardhurave, qoftë me qëllim apo jo. “Importimi, eksportimi apo transitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluara ose të kufizuara që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet“, thekson një prej neneve të ndryshuara.

Hedhja në konsum e mallrave të vendosura në qarkullim të lirë pasi janë importuar me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore apo të akcizës për shkak të destinacionit përfundimtar ose të përdorimit të tyre përfundimtar me qëllim shmangien e detyrimeve doganore përbën kontrabandë dhe dënohet deri në pesë vjet burgim. Gjithashtu ministria e Financave kërkon burgim deri në 3 vjet, për të gjithë ata subjekte tregtare që ushtrojnë aktivitetin në shkelje të ligjit apo nuk lëshojnë kupon tatimorë.

“Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm apo ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve, moslëshimi i kuponit tatimor përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim”, përcakton drafti i Ministrisë së Financave.

Nga ana tjetër, Kodi Penal parashikon ashpërsimin e ndëshkimeve edhe ndaj tatimorë që abuzojnë me detyrën. “Moskryerja e detyrave që lidhen me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve nga punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë që janë ngarkuar me këto detyra, kur bëhet për fajin e tyre, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, përcakton drafti. 

Qëndrimet 

Shoqatat e opozita, kundër masave ndëshkuese

Ashpërsimi i gjobave për evazion fiskal deri 90 mijë dollarë nga ana e Qeverisë ka nxitur reagimet jo vetëm të opozitës, por edhe të shoqatave të biznesit. Sipas tyre, ky plan masash në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një shkop ndëshkues për biznesin, sidomos ata që kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme.

Nga ana e saj opozita ka deklaruar se aksioni po terrorizon bizneset, sidomos sipërmarrësit e vegjël, të cilët janë në qendër të vëmendjes së aksionit. Opozita ka akuzuar gjithashtu se masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Nga ana tjetër, punonjësve tatimorë u është dhënë autoritet i pakufishëm në interpretimin dhe zbatimin e këtyre masave duke rritur ndjeshëm rrezikun e abuzivizmit e korrupsioni.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)