'Koha të merremi vesh qartë!' Rama kritik ndaj bankave: Ulni transaksionet në cash! Digitalizoni sa më të shpejt sistemin

Tirane- Ulja e përdorimit të parave cash në transaksione dhe dixhitalizimi i shërbimeve financiare për qeverinë janë me rëndësi në drejtim të formalizimit të ekonomisë.

Në tryezën me përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë, kryeministri Edi Rama u kërkoi përshtatjen me industrinë fintech, pasi sipas tij, reduktimi i parave cash dhe shtimi i transaksioneve bankare përveç formalitetit në ekonomi do të rrisë transparencën e parasë, dhe do të sjellë më shumë të ardhura për vendin.

“ Tani në epokën e teknologjisë vendi mund të bëjë kapërcim 100 vjet brenda 6 muajsh. Bankat janë aty për të hapur dyert e zhvillimit e teknologjisë e të Shqipërisë që mund të shkojë shumë më shpejt duke u kthyer nga një vend me përdorimin më të lartë të cash në ekonomi në një vend pa cash në transaksionet e jetës ekonomike. Kjo është plotësisht e mundur. Unë e di shumë mirë tek hyrja në vend e aktorëvre të rinj që vijnë me zgjidhje digitale ka dhe sfida dhe prishje të rehatisë së bankave patjetër por kjo është e paevitueshme.  Mendoj se është koha të merremi vesh shumë qartë për këtë. Nuk mund të pranojmë më këtë situatë. Fuam të shikojmë ndryshim të thellë, duam të shikojmë ndryshim real dhe duam të shikojmë, jo pas disa vitesh, por duam të shikojmë këtë vit pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja” tha Rama.

Rama i kërkoi Bankës Shqiptare të udhëheqë procesin e dixhitalizimit të plotë të shërbimeve financiare.

“Banka e Shqipërisë duhet patjetër të bëjë pjesën e vet. Duhet ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë dhe të gjitha justifikimet, të gjitha arsyetimet, të gjitha ato alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit dhe që vijnë nga prishja e një statusquo të krijuar me vite e me vite, ne nuk do t’i pranojmë.  Banka e Shqipërisë duhet të ketë patjetër një mekanizëm supervizimi dhe të inovacionit, edhe të ecurive të punës me inovacionin”, tha Rama.

“Ne kemi një Komunitetit Kombëtar të Pagesave. Është diskutuar dhe pjesa e open banking me afate, përtej detajeve, është elaboruar dhe deri në qershor kjo duhet bërë. Është detyrim ligjor dhe bankat duhet të bërë. Kemi hequr edhe shumë cash nga qarkullimi, po punojmë përmes komunitetit kombëtar të pagesave”, tha Sejko.

Përgjatë takimit me kryeministrin Rama, të mbajtur në Shtëpinë e Biznesit për ofrimin e më shumë zgjidhjeve alternative në fushën e pagesave përfaqësuesit e bankave thanë se shpejt do të mundësojnë shërbime edhe përmes e-Albania.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:27
Inovacioni në sistemin financiar, Ibrahimaj: Të forcojmë bashkëpunimin mes gjithë aktorëve për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik

Nën kujdesin e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, u organizua takimi me temë “Inovacioni në sistemin financiar”, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama. Qëllimi i këtij takimi, i cili mblodhi së bashku ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të kompanive në fushën e fintech, ishte diskutimi mbi sfidat dhe zhvillimet inovative të dixhitalizimit në sistemin financiar.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes gjithë aktorëve për tejkalimin e problematikave dhe sfidave për zhvillimin e sistemit financiar në vendin tonë, në funksion shfrytëzimit të mundësive që ofron dixhitalizimi, nxitjes së inovacionit e kështu zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministrja pohoi faktin se politikat e qeverisë kanë synuar ndër vite rritjen e përfshirjes financiare, me qëllim reduktimin e kostove të transaksioneve financiare për qytetarët dhe bizneset e kategorive të ndryshme. Megjithatë, sipas Ministres Ibrahimaj, ka ende disa barriera rregullatore që nuk e mundësojnë zhvillimin e duhur të kompanive fintech, sidomos në sistemin e pagesave, reduktimit të cash dhe reduktimit të informalitetit.

Në këtë drejtim, Ministrja theksoi rëndësinë e nxitjes së proceseve të nisura dhe respektimin e afateve të përcaktuara ligjore.

“Për të diskutuar për të gjitha këto dhe për të shtyrë përpara proceset që ne kemi iniciuar tashmë, si dhe për të marrë disa garanci që ato afate dhe deadline të përcaktuara në ligje apo rregullore të respektohen, ne organizojmë tryezën e sotme, duke e parë njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë dhe më të ndërlidhur, në mënyrë të tejkalojmë sfidat dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që dixhitalizimi na jep, me qëllim të nxitjes së inovacionit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Ora 11:36
Mete: Dixhitalizimi i sektorit bankar element kyç, duhen fushata ndërgjegjësimi për qytetarët! Vetëm kështu ulim qarkullimin e parasë cash

Ministri i Financave, Ervin Mete thotë se dixhitalzimi i shërbimeve financiare është element kyç dhe se sipas tij kjo praktikë duhet të përhapet edhe më tej se sektori bankar. Mete thekson se kjo nuk është një qasje që e kërkon Shqipëria, por përdoret nga të gjithë rregullatorët europianë, pasi qasja ndaj teknologjisë është theksuar sidomos pas pandemisë.

Mete e vuri theksin se duhet të ketë një strategji, përfshirë edhe edukimin financiar, si rol thelbësor për përdoruesit me qëllim që të ulet qarkullimi i parasë cash.  

“Për shkak të qenit dixhitalizmi një element kyç, duhet të hapet përtej sektorin bankar. Të përfshijë edhe elementë të tjerë të sektorit financiar, sigurimet, fondet e pensioneve. Edhe pse janë ndonjëherë edhe më të zhdërvjellët se banka për të përqafuar digjitalizimin. Ky nuk është një sektor, apo qasje e ynë, por edhe një objektiv ndërsektorial i të gjithë rregullatorëve europianë. Të gjithë rregullatorët europianë  e kanë dixhitialzimin dhe qasjen ndaj teknologjisë, theksuar kjo sidomos pas pandemisë.

Do duhet të kemi qasje të strukturuar bashkë me aktorët dhe rregullatorët për të pasur një strategji, të theksojë edhe përfshirjen financiare. Se reduktimi i cash-it vjen duke u përfshirë përdoruesi sa më tepër, theksuar këtu edhe edukimin financiar që është një ndihmues i përfshirës nëpërmjet të FinTech. Kemi mundësi të kemi qasje të strukturuar”, tha Mete.

Ora 11:07
Rama-ultimatum bankave: Brenda këtij viti pensionistët t'i marrin paratë online

1706783263_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama është takuar të enjten me përfaqësues të sistemit bankar, të cilëve u ka tërhequr edhe një herë “veshin” për faktin që një pjesë e mirë e bankave të nivelit të dytë vijojnë të funksionojnë me metoda tradicionale 

Në takimin, ku të pranishëm janë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministri i Financave, Ervin Mete, Rama kërkoi nga përfaqësuesit e bankave që brenda këtij viti të jetë implementuar “open banking”.

“Bankat mbeten shumë larg nevojës së ekonomisë. Eficenca e transaksioneve, pagesat direkte janë me metoda tradicionale. Qeveria duhet të fokusohet te inovacioni, faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, e ka të shkruar, që në janar të këtij viti, duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, aplikimi i protokolleve të open banking. Afat, ky i përsëritur”, tha ai.

Duke kujtuar që teknologjia e lejon tashmë, kreu i qeverisë kërkoi nga bankat që të “jenë në lartësinë e sfidës dhe të hapin dyert e teknologjisë.”

Teksa i akuzoi se nuk po bëjnë përpara pasi “nuk duan që të prishin rehatinë”, Rama u kujtoi përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë: “Kjo është çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë. Duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, të thellë, real. Këtë vit.”

Më konkretisht, qeveria kërkon nga bankat që brenda këtij viti, pensionistë të marrin pensionet përmes sistemeve të reja. Bizneset të shesin me këto sisteme. Dhe, që qarkullimi i CASH-it në vend të bjerë ndjeshëm.

“Duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe, por do ta bëjmë,” shtoi kryeministri.

Procesi pritet që të drejtohet nga Banka e Shqipërisë.

“Të gjitha justifikimet, albite që vijnë nga prishja e një status quo-je të viteve me radhë, nuk do t’i tolerojmë”, tha ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bankave bënë të ditur se këto të fundit ndodhet në periudhë testimesh dhe se në qershor do të jenë të gjitha gati për të dalë “live” në qershor sa i takon “open banking”.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/02/2024 03:50

    Do behemi si ne kohen e xhaxhit Enver,Shqiperia i vetmi vend ateist ne bote dhe tani nen xhaxhi Ramen do te shkojme drejt te berit i vetmi vend ne bote pa /cash/! O /financier/ i madh,po as vende si U.S dhe Japonia qe jane super te dixhitalizuara, nuk e kane nxjerre cash-in nga perdorimi dhe tani na dole ti me i mencur?!Keto vende e kane opsionale,me te zgjedhur cash ose card. Ky ngjan si nje akt i deshperuar per te kontrolluar /forcimin/ artificial te lekut dhe pastrimin e parave.Ata qe i sjellin parate e krimit te fshehura ne tavanet e autobuzeve e motoret e makinave do te gjejne menyren per t'i sjelle edhe me transferte te dixhitalizuar.Mos genje veten se do t'i besh zap me keto /shpikje/.Te vetmit qe do te kene /dhimbje koke/nga ky proces do te jene njerezit e thjesht,sidomos ata qe nuk e kane idene si funksionon ky sistem dhe atyre qe do t'u vidhen parate direkt ne banka nga hakerat dixhitale,apo atyre qe do t'ju vjedhin parate me karta te klonuara apo aparate qe jane bere qellimisht per te vjedhur te dhenat e kartave edhe kur ecen ne rruge e nuk i perdor.I ke marre keto parasysh, apo jo?!

    Përgjigju
  • Eni: 01/02/2024 19:15

    Udhheqesi foli. Kush ka veshe per te degjuar, le te degjoje!

    Përgjigju
  • Kali: 01/02/2024 15:04

    Si thane drejtoret e Bankes qe po presim intelligjencen tuaj artificale me te cilen do pregatisni legjislacionin per te hyre ne evrope?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja