TIRANE- Kandidati i PS-së për deputet në Qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima, në një intervistë dhënë mbrëmë gazetarit Blendi Fevziu për emisionin “Opinion” në “Tv Klan”, tregon arsyet pse po hyn në politikë. Si dhe raportet me Edi Ramën, Ilir Metën dhe Sali Berishën. Ndër të tjera, Kokëdhima shpjegon përpjeket për afrimin e Metës me Ramën drejt koalicionit.

Koço Kokëdhima tha se roli tij në bashkimin e PS-së me LSI-në ka qenë pjesë e kontributit edhe të njerëzve të tjerë. Ndërkaq, kandidati për deputet I PS-së në Vlorë, është shprehur se “Partia Socialiste dhe LSI-ja janë dy pjesë të së majtës shqiptare, që duhet të bashkohen”.

Kandidati për deputet i PS-së në Qarkun e Vlorës ka replikuar edhe ndaj kritikave të bëra nga Kastriot Islami. Kokëdhima ndër të tjera, ka shpjeguar edhe mënyrën se si ai ka ndikuar për futjen në politikë të Islamit. Ndërkohaq ka shtuar se “akuzat” e Islamit, kanë qenë zhgënjyese për të.

Për zgjedhjet e 23 Qershorit, Kokëdhima tha se "Sali Berisha nuk do të mundë të majtën për aq kohë sa PS dhe LSI do të jenë të bashkuar". Pasi, sipas tij edhe në zgjedhjet e kaluara, "PD ka mundur të dalë fituese vetëm për shkak të këtyre përçarjeve brenda të majtës". Ndërsa për fitoren e PD-së në zgjedhjet e 2005, Kokëdhima tha se "ishte kundër Nanos", duke mos dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me qëndrimin e tij ndaj Berishës në këto zgjedhje.


PJESË NGA INTERVISTA
A keni luajtur ju z, Kokëdhima një rol në bashkimin e Partisë Socialiste me LSI-në?
Unë bëj pjesë në ata njerëz, sepse nuk jam i vetëm, janë shumë njerëz të tillë, ose disa të cilët kanë besuar dhe besojnë se e majta i ka dorëzuar pushtetin për shkak të përçarjes së PS-së me LSInë. Dhe kjo për bindjet e mia është e vërtet 100 për qind. Ky problem e ka gërryer të majtën dhe ka lejuar gjithë këto pasoja të rënda të një qeverisjeje të papërgjegjshme të Partisë Demokratike. Unë kam luajtur gjithmonë këtë rol, me aq mundësi sa kam pasur gjithmonë qysh në vitin 2008-2009-t, në mënyrë të vazhdueshme.

Keni tentuar për një afrim PS-LSI që në vitin 2009-t?

Po sigurisht.

Dimë që ju keni dalë kundër këshilltarëve amerikanë të Edi Ramës për bashkimin me LSI-në...

Nuk është një detaj që unë mund ta mbajë mend këtë gjë. Dhe, nuk kam sesi të besoj që paskan vendosur ca këshilltarë amerikanë, por di të them këtë gjë që ne kemi pasur gjithmonë këtë ide. Që, Partia Socialiste dhe LSI-ja janë dy pjesë të së majtës shqiptare, që duhet të bashkohen.

Por pse si bashkuat në 2009-n?

Nuk jam unë personi që marr vendime. Unë lehtësoj, ndihmoj që liderët e këtyre dy partive të marrin vendime me maturinë e tyre dhe me pjekurinë e tyre. Nuk funksionoi në 2009-ën, por funksionoi në 2013-ën.

Kush pati faj që s`funksionoi, Rama apo Meta?

Këta dy liderë bënë një lëvizje historike. Këta dy liderë morën një vendim i cili praktikisht do t’i japë pushtetin të majtës dhe do t’i kthejë vendit një qeverisje që do përdoret për qëllime të mira.

Kush e ka fajin për thyerjen mes PSsë dhe LSI-së, Rama apo Meta?

Thyerja PS-LSI është bërë në 2005-n.

Po në 2013-n përse Meta vendosi të kthehet tek Rama? Ju keni qenë negociatori, i dini më mirë gjërat.

Nuk kam qenë unë negociatori. Kanë negociuar ata të dy me njëri tjetrin. ashtu siç ka pasur disa kolegë dhe ne njohim shumë kolegë që kanë ndihmuar, kanë ndikuar në këtë proces.

Në pajtimin e tyre....

Sigurisht që ka pasur shumë njerëz në Partinë Socialiste, në LSI, ka pasur shumë persona në media, ka pasur shumë persona jashtë tyre etj, që kanë ushtruar ndikimin e tyre dhe që kanë mundësuar këtë proces negocimi të pjekur midis dy liderëve, me moshë të re, të maturuar që bënë një vepër kaq të rëndësishme dhe i kthyen të majtës mundësinë që të fitojnë zgjedhjet e 23 qershorit. Të bëjnë një qeverisje tjetër në Shqipëri e t’i japin popullit një qeverisje të denjë.

Ne nuk i fitonim dot zgjedhjet të përçarë

Marrëveshja u bë në shtëpinë tuaj z. Kokëdhima?

Jo, është bërë në Shkodër. Nuk është bërë në shtëpinë time kjo marrëveshje, është bërë në selinë e Partisë Socialiste dhe në selinë e Lëvizjes socialiste për Integrim.

Kishte një marrëveshje paraprake para se të zyrtarizohej dhe ju e dini këtë...

Unë nuk e di. S’është se unë jam pjesë e vendimmarrjes dhe nuk kam qenë as në diskutimet e tyre, për mënyrën se si e përpiluan kartën e parimeve ose marrëveshjen e shkruar. Unë e kam marrë informacionin e plotë nga media.


KOKEDHIMA: SI E FUTA KASTRIOT ISLAMIN NE POLITIKE NE 1991

PJESË NGA INTERVISTA
Nuk po ju pyes pse keni marrë katër, por student hileqar tha Islami, pedagog i njohur po ashtu?

Kastrioti. Jam i zhgënjyer me Kastriotin.

Edhe Kastrioti me ju?

Por, e para Kastrioti nuk ka qenë asnjëherë pedagog matematike, por ka harruar edhe çka qenë. Edhe thotë atje që më ka vënë mua 4 në matematikë. Unë kam qenë një student i matematikës dhe jo i historisë. Dhe Kastriotin…

E keni pasur pedagog?

Më lejo të shpjegohem. Me Kastriotin kam bërë vetëm lëndën e Fizikës dhe nuk më ka dhënë asnjë lëndë dhe s’më ka vënë asnjë notë. Por, Kastrioti është një politikan gënjeshtar dhe më shumë se gënjeshtar. Kur thashë që jam i zhgënjyer me atë, kam parasysh edhe një ngjarje jete. Do t’ju bëj me dije se si e kam promovuar në politikë Kastriotin.

Si e keni promovuar Kastriotin, është themelues i PS-së?

Në vitin 1991 është bërë deputet, edhe është bërë deputet në këtë mënyrë. Atëherë ishte, u sajua kjo skema e pluralizmit me organizatat e masave dhe u bë një kuvend me përfaqësues, me deputetë që vinin edhe nga organizatat e masave. Në atë planifikim që kishim ne në atë takim që u bë në kuvendin e parë të këtij lloji, kishim dy poste për të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe mua më shkoi mendja te Kastrioti. Me siguri edhe kjo është një provë që nuk më ka vënë katër sepse po të më kishte vënë katër Kastrioti, ndofta edhe do ta kisha mbajtur mend, meqë thotë s’më ka dalë inati akoma. E mora Kastriotin në telefon edhe i thashë nëse dëshiron ta vë në Fier. Ai më tha se do të më kthente përgjigje dhe më ktheu përgjigje që po. E vendosëm ne Kastriotin. Kastrioti vajti për herë të parë si deputet i Bashkimit të Rinisë së Fierit. Në këto vite të karrierës së tij, ai bëri sjellje shumë zhgënjyese.

Pjesë nga intervista e kandidatit për deputet të PS-së për qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima
Marrë nga "Shekulli"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)