Zanafilla është një vendim i qeverisë “Rama 1” në vitin 2013, kur vendosi që në vend të hapjes së landfilleve, të ndërtoheshin inceneratorë për trajtimin dhe djegien e mbetjeve. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një shkrim në Facebook, sulmon kryeministrin Rama për inceneratorët, duke thënë se vendimi i 2013-ës ishte i gabuar.
Sipas Vasilit djegia e mbetjeve duhet të ishte e fundit, duke shtuar se ai vendim e fut në rrugën më të keqe trajtimin e mbetjeve dhe dëmton rëndë vendin për sot dhe dhjetëra vite në të ardhmen.
“Strategjia e trajtimit të mbeturinave duke vënë në plan të parë djegjen (incenerimin) është tërësisht e gabuar, sigurisht që kjo është bërë me qëllim.
Kryeministri e ka kapur me qëllim për bishti problemin shumë të rëndë të mbetjeve. Ai po zbaton të parën atë që duhet të bënte të fundit. Kjo e fut në rrugën më të keqe trajtimin e mbetjeve, gjë që e dëmton rëndë vendin, për sot dhe për dhjetra vjet në të ardhmen.”, shkruan Vasili.
Por sulmi i Vasilit edhe pse i drejtuar nga kryeministri, ka marrë kundërpërgjigje nga deputeti i LSI-së, Lefetr Koka, në atë kohë Ministër i Mjedisit.
Në një replikë në distancë, Koka thotë se qeveria Rama 1 në vitin 2013 ka marrë një vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, për t’i dhënë fund një herë e mirë problemit të depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve.
Sipas tij, mënyra e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet djegies i ka dhënë fund pseudolanfilleve, që mes të tjerash kishin kosto të lartë. Koka thkeson se Impiantet e Prodhimit të Energjisë nga Mbetjet kanë jetëgjatësi mbi 50 vjet, kosto ndërtimi më e ulët se ajo e zbatuar në disa qarqe të vendit për landfillet dhe zero tarifë depozitimi për bashkitë.
Në fund të reagimit, Koka shprehet se është krenarë për impiantet dhe i keqardhur, siç thotë ai, për çdo miop që dëshiron ta shohë Shqipërinë varrezë masive landfillesh.
“Të nderuar Miq,
Mbas shumë vitesh shpërdorim në formë grantesh dhe kredish që përfundonin në prodhim masiv letrash, pa asnjë produkt konkret, në vitin 2013, Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe në bashkëpunim me disa prej bashkive kryesore në vend morri një vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, për t’i dhënë fund njëherë e mirë problemit të depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve.
Nëse deri dje shpenzoheshin dhjetra e qindra milionë euro, të siguruara në formë grantesh apo kredish për të prodhuar letra apo ndërtuar tek tuk ndonje pseudo-landfill, që përvec kostos impresionuese të ndërtimit kërkonte prej bashkive tarifa depozitimi të papërballueshme për to, sot kemi një realitet krej të ri.
Pseudolandfillet – Jetëgjatësi deri në 10 vjet, kosto e lartë ndërtimi, tarifa depozitimi të papërballueshme nga bashkitë; pas 10 vitesh duhet ndërtuar landfill i ri për shkak të tejmbushjes duke e kthyer Shqipërine në nje varrezë landfillesh.
Impiantet e Prodhimit ë Energjise nga Mbetjet – Jetëgjatësi +50 vjet, kosto ndërtimi më e ulët se ajo e zbatuar abuzivisht në disa qarqe të vendit për pseudo landfille, ZERO tarifë depozitimi për bashkitë, emetimet në ajër 10 herë më të ulëta se standardet e Bashkimit Europian, teknologjia e përdorur edhe më e avancuar se ajo e impiantit të prodhimit të energjisë nga mbetjet që ndodhet aktualisht në mes të kryeqytetit të Austrisë, Vienës.
Pas 7 vitesh këto vepra unike inxhinierike i kalojne 100% në pronësi dhe administrim bashkive. Të ardhurat nga shitja e energjisë, bashkitë do të mund t’i përdorin për investim në pastrim dhe infrastrukturën e riciklimit.
Krenar për këto impiante, I keqardhur për çdo miop që dëshiron ta shohë Shqipërinë varrezë masive landfillesh”, ka shkruar Koka në facebook.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com