Kokaina, trafikanti me identitet
të dytë, kaloi kufirin pa gjurmë

Kokaina, trafikanti me identitet<br />të dytë, kaloi kufirin pa gjurmë
TIRANE - Pasditen e 5 janarit 2014 në orën 15:40 Ilir Hyseni, i konsideruar si kreu i trafikut ndërkombëtar të drogës që përpunonte kokainën në laboratorin e Elbasanit, u paraqit në aeroportin e Rinasit dhe hipi në një fluturim të linjës “Blu Panorama” që shkonte drejt Pizës, në Itali. Ky është dhe kalimi i fundit i regjistruar me emrin e tij në gjithë kufirin shqiptar. E megjithatë, ditën e 14 janarit Ilir Hyseni ndodhej në Shqipëri: në fakt policia e arrestoi bashkë me 9 të tjerë pas sekuestrimit të 90 kilogramëve kokainë.

A1Report është në gjendje të dokumentojë një mister të ri rreth figurës së këtij supertrafikanti, e fejuara e të cilit, Pranvera (Aga) Ebeling, ka humbur gjurmët dhe tani kërkohet edhe nga policia gjermane. Sipas informacioneve të televizionit A1 Report, pra Ilir Hyseni, ka mundur të rifutet në Shqipëri pas udhëtimit të tij në Itali me 5 janar, pa lënë asnjë gjurmë në sistemin e kufirit: 

Po si e ka bërë?
Hipoteza e parë mbi të cilën po heton dhe policia është se Hyseni ka një pasaportë të dytë, pra ka dhe një identitet të dytë: Duke dalë me emrin Ilir Hyseni, mund të jetë kthyer në Shqipëri ndonjë ditë më pas me një emër tjetër, pa ngjallur asnjë dyshim në kufi. Po me cilin emër? Dhe si ka mundur të falsifikojë dhe pasaportën biometrike të gjeneratës së re?

Mund të mos jetë e para herë që ndodh kjo gjë. Një lëvizje tjetër e çuditshme regjistrohet në mars të vitit 2014. Ilir Hyseni me 4 mars kthehet në Shqipëri pas 3 muajsh të kaluar sipas lëvizjeve në Itali, duke kaluar në portin e Durrësit pas udhëtimit me anijen Brudge. 

Pas 3 ditësh, pra me 7 mars, riniset duke kaluar nga Rinasi sërish drejt qytetit italian të Pizës. Por nga ajo ditë askush nuk regjistron më emrin e tij në kufijtë shqiptarë deri kur më 28 dhjetor 2014, në orën 10.30 rifutet në Shqipëri. 

Eshtë e mundur që Ilir Hyseni, i akuzuar nga policia si drejtues i trafikut të kokainës në Shqipëri, të ketë mbetur jashtë vendit për nëntë muaj? Apo mes marsit dhe dhjetorit 2014 ka hyrë dhe herë të tjera në vend por duke përdorur në pikat e kalimit identitetin e tij të dytë?

Mbajtja e një identiteti të dytë është komod për një trafikant për të krijuar alibi dhe për të ngatërruar hetimet. Një mekanizëm perfekt që ngeci për shkak të arrestimit të tij. 

Ditën e 28 dhjetorit Ilir Hyseni kthehet në Shqipëri, kalon këtu festat e fundvitit dhe pastaj me 5 janar riniset për në Piza. Këtu kontrofigura e tij zhduket. Objektivi i tij ishte të tregonte se ndodhej në Itali. Në të vërtetë ai ishte rikthyer në Shqipëri, por me identitetin e dytë: dhe në fakt me datën 14 janar policia e bllokon në laboratorin e kokainës në Elbasan. Nëse Ilir Hyseni konsiderohet si kreu i trafikut të kokainës, çfarë krimesh të tjera mund të ketë kryer jashtë apo në Shqipëri me identitetin e tij të dytë?

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg