Kokaina,Xhafaj-opozitës:Shokuat
të huajt, luftë të shpejtë krimit

Kokaina,Xhafaj-opozitës:Shokuat<br />të huajt, luftë të shpejtë krimit<br>
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, iu rikthye sërish operacionit të 27 shkurtit, ku u sekuestruan 613 kg kokainë, sasia më e madhe e ardhur ndonjëherë në vendin tonë.

Nga foltorja e Kuvendit, ministri Xhafaj deklaroi se ky operacion i madh ishte vepër e Policisë Shqiptare, ndërsa sulmoi opozitën, duke i quajtur baltosje akuzat e saj. sipas tij, krerët e opozitës dolën qesharakë edhe në sytë e ndërkombëtarëve.

“Jo vetëm ne, por edhe partnerë tanë në luftën kundër krimit të organizuar janë të çuditur dhe gati të shokuar për mënyrën se si lidershipi opozitar e përcolli suksesin e sekuestrimit të një sasi të tillë droge”, tha ndër të tjera Xhafaj.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj:
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit

Të nderuar kolegë deputetë,

Reforma në sistemin e ndihmës ekonomike dhe të mbështetjes sociale është pjesë e përpjekjeve shumë serioze të kësaj qeverie për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë për qytetarët e këtij vendi.

Të ndërgjegjshëm se varfëria nuk ka pushuar së ekzistuari dhe se vështirësitë e jetës së përditshme të shumë shqiptarëve gjenden ende larg zgjidhjes, qeveria vlerësoi se diçka duhej ndryshuar, së paku në mënyrën sesi shteti kujdeset për ta. Kjo do të thotë se vazhdimi i zbatimit të një skeme, si ajo që aplikohej deri më sot, e cila veç përcillte nga viti në vit lëmoshë pa krijuar zgjidhje efikase në luftën ndaj varfërisë, rrezikonte të shkaktonte së paku dy dëme të pariparueshme:

së pari, nuk i hapte rrugë mundësimit të ndërhyrjes së operatorit shtetëror në plagë, duke i kthyer institucionet qendrore në një ent dhurues, por jo rregullues;

së dyti, nuk ofronte një mënyrë realiste për rimëkëmbjen e qytetarëve, të cilëve varfëria jo vetëm i ka lënë pa punuar, por dhe pa një motiv për të marrë në dorë fatin e tyre.

Me pak fjalë, do të duhet të jemi mjaftueshëm realistë për të pranuar se deri më sot, zgjidhjet e trashëguara kanë krijuar një bazë të mirë parazitizmi për një fenomen prezent si varfëria, i cili nuk është një fenomen vetëm shqiptar.

Të gjithë e dimë se varfëria në rrethana të caktuara është një premisë shumë e mirë për të shtyrë në thyerje të ligjit këdo që halli ekonomik dhe vuajtja sociale e ka vënë poshtë. Varfërinë e njerëzve të thjeshtë, kanë shfrytëzuar edhe grupet kriminale shpeshherë, dhe jo vetëm këtu tek ne, për të zhvilluar sipërmarrjet e tyre kriminale. Veçanërisht ato të kultivimit të bimëve narkotike.

Por kjo qeveri, plotësisht e ndërgjegjshme për rrezikun që sjell për jetën dhe pasurinë e qytetarit, për sigurinë publike në tërësi, për demokracinë, i ka shpallur luftë pa asnjë lloj kompromisi kësaj veprimtarie të rëndë kriminale. Asnjë veprimtari kriminale nuk mundet të sjellë progres ekonomik. Ne këtë e dimë shumë mirë dhe kemi bindjen se edhe opozita kështu si ne, e di edhe ajo këtë çështje.

Është fakt i njohur publikisht se kjo Qeveri në vitin 2017 e nxori këtë vend përfundimisht nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis. Operacioni i de-kanabizimit i nisur nga kjo qeveri, solli pikërisht këtë rezultat, i cili është njohur dhe përshëndetur qartë nga qeveri dhe agjenci partnere në këtë luftë.

Megjithatë, duhet shtuar se arritëm në këtë nivel ligjshmërie, krejt të paprecedentë për më shumë se dy dekada e gjysmë të pluralizmit shqiptar, jo thjesht dhe vetëm për efikasitetin e shtypjes së këtij fenomeni kriminal. Mbi të gjitha, ne mundëm të shënojmë sukses, sepse siç e kam theksuar edhe më parë, ne mundëm të shkëpusim përfundimisht trafikuesit nga fermerët, përfituesit e aktivitetit kriminal nga viktimat e tyre.

Në mes të kësaj marrëdhënieje të rrezikshme që mundëm të zgjidhim, ishte pikërisht varfëria. Më saktë, në mes qe bindja se varfëria, ndaj së cilës shteti aplikonte skema jo efikase, mund të kthehej për mrekulli në pasuri nëpërmjet një aktiviteti anti-ligjor si mbjellja e kanabisit.

Vështirësia më e madhe për organet tona ligj zbatuese ishte pikërisht në këtë drejtim, në ndërgjegjësimin tonë në radhë të parë, e pastaj të vetë viktimave të krimit, se dëmi i vërtetë i kanabisit ishte mbi të gjitha shoqëror. Si i tillë, ky dëm nuk mund të kufizohej vetëm në shtypjen e aktivitetit ilegal, por dhe në parandalimin e kultivimit e trafikimit të tij.

Dhe si çdo parandalim efikas, ky duhet të jetë afatgjatë dhe patjetër i qëndrueshëm. Duke qenë se qëllimi ynë është që viti 2018 të konfirmojë rezultatet e arritura në vitin e shkuar – dhe të jeni të sigurt se kështu do të jetë – e shohim të domosdoshme që përcjellja e suksesit të marrë formën e bashkërendimit ndër-institucional, për ta goditur krimin në shtratin e vet: tek varfëria nga njëra anë dhe tek pasiviteti i organeve shtetërore për t’i dhënë asaj një zgjidhje efektive.

Operacioni “Forca e Ligjit” shkon tërësisht në këtë drejtim, jo vetëm sepse mbart si trashëgimi gjithë sukseset e veprimtarisë së vitit të kaluar antikanabis, por dhe sepse është dëshmi e vullnetit për ta vazhduar dhe finalizuar me sukses të plotë atë punë që nisëm bindshëm përpara një viti.

Siç e kam deklaruar kudo ku më është dhënë rasti, disa herë edhe në këtë sallë, shkëputja e ndikimit të trafikantëve nga veprimtaria e fermerëve, na impononte detyrën tjetër edhe më delikate: gjetjen dhe kapjen e atyre subjekteve kriminale, që çonin përpara kultivimin dhe trafikimin e lëndës narkotike.

Operacioni “Forca e Ligjit”, i cili deri më tani ka shënuar suksese të dukshme në gjithë territorin e vendit, vjen si rrjedhojë e këtij angazhimi. Pjesëmarrja e një sërë agjencish ligjzbatuese në të, si dhe asistenca e kudo-ndodhur që kemi pasur nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë qenë dhe mbeten një premisë reale e punës shumë të mirë që është zhvilluar deri më tani.

Takimi që unë dhe ekipi im zhvilluam pardje me gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, - i dyti në vetëm pak muaj, për sa i përket ilustrimit të hapave konkretë që ne si Ministri e Brendshme dhe Qeveria kemi ndërmarrë në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor, - ishte shprehje e drejtpërdrejtë e këtij vlerësimi tejet inkurajues dhe mirëbesimi të jashtëzakonshëm mes palësh.

Duke nisur nga “Forca e Ligjit” për goditjen e disa grupeve kriminale të skeduara tashmë dhe aseteve të tyre kriminale, duke iu rikthyer rezultateve mbresëlënëse të operacioneve antikanabis, si dhe duke theksuar prioritetet e veçanta që i kemi vënë vetes në zbatimin e reformave të ndryshme, dolëm me një konkluzion të dyfishtë së bashku: se jemi në rrugën e duhur, dhe mbi të gjitha jemi të vendosur të shkojmë përpara.

Në vazhdë të kësaj fryme të gjithanshme inkurajimi dhe bashkëpunimi, është dhe suksesi i institucioneve ligjzbatuese shqiptare në ndalimin dhe sekuestrimin e plot 613 kilogramëve kokaine në fund të muajit shkurt.

Vetë partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, drejtpërdrejtë, por edhe përmes agjencive të tyre të specializuara ndërkombëtarisht si DEA, Europol-i, Interpol-i dhe Drejtoria Kombëtare Antimafia italiane, e kanë shprehur qartësisht meritën e autoriteteve shqiptare në shënimin e këtij suksesi të Forcës së Ligjit.

Pak orë pas bërjes publike të këtij operacioni, vetë kreu i Antimafia-s italiane, të cilin ju e keni cituar shumë shpesh këto kohë, z.de Raho, i habitur me instrumentalizimin që disa eksponentë të politikës shqiptare i patën bërë fjalës dhe mbështetjes së tij gjatë vizitës në Tiranë, për punën e organeve shqiptare, deklaroi qartësisht se: “ky operacion merr edhe më shumë rëndësi falë faktit se u realizua nga Policia shqiptare, pa asnjë ndihmë nga ana e autoriteteve gjyqësore italiane”. Dhe më poshtë se “suksesi i arritur në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike me sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë është një ndër rezultatet e para të strategjisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilën Qeveria shqiptare po e zbaton fuqimisht”.

Jo vetëm ne, por edhe partnerë tanë në luftën kundër krimit të organizuar janë të çuditur dhe gati të shokuar për mënyrën se si lidershipi opozitar e përcolli suksesin e sekuestrimit të një sasi të tillë droge. Si është e mundur të nderuar kolegë opozitarë që një pjesë e juaja dhe ca më shumë drejtuesit tuaj politik, pa pikën e turpit artikulojnë akuza skandaloze për këtë çështje pikërisht për ata të cilët janë protagonistë në arritjen e këtij rezultati?!

Si mundet ta bëni këtë jo vetëm pa treguar asnjë lloj fakti, apo argumenti, dhe më e çuditshmja është se i bëni këto akuza të ulët në kushtet kur partnerët tanë ndërkombëtar, japin vlerësimet maksimale për këtë sukses të jashtëzakonshëm të agjencive shqiptare ligjzbatuese?!

Më vjen sinqerisht keq ta them, por duhet. Disa prej jush, janë komplet qesharak në skenarët e formatit policesk që prezantojnë lidhur me “kush e solli kokainën, kush ishte garantuesi, pse u ndalua në këtë orë dhe jo në atë, pse nuk la të shkonte tek pritësi, kush i njoftoi, si i njoftoi, pse i njoftoi” etj, etj.

Zotërinj, kolegë politikanë,

Lërjani këtë çështje atyre që e kanë kompetencë hetimin dhe dinë më shumë se ju, por më shumë edhe se ne. Për më tepër që në këtë rast ata që po e bëjnë këtë punë kanë qëlluar të jenë njerëz, për të cilët ju udhëheqësit opozitarë, disa herë jeni shprehur publikisht në mbështetje të tyre. I lini të paktën të punojnë në këtë rast.

Nëse keni diçka për të thënë, besoj e keni të hapur derën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Shkoni atje dhe i tregoni atje çfarë dini dhe çfarë provash kini. Është detyrë qytetare, është respekt ndaj Kushtetutës dhe Ligjit ta bëni një gjë të tillë.

Në një kundërshti të çuditshme me vlerësimet dhe inkurajimet e autoriteteve ndërkombëtare, ju nxituat të hidhni akuza e të villni vrer për ne, që sipas jush ishim porositësit e kokainës nga Kolumbia, dmth ne ishim porositësit, por po ne ua prishëm planin atyre, pra po neve, sepse e kapëm. E paimagjinueshme për një logjikë normale!

Në 30 janar të këtij viti në Britani, në aeroport u kapën 500 kg kokainë e cila vinte me avion nga Kolumbia. Brenda 3 muajve në Gjermani u kapën plot 3.8 ton kokainë. Duke ndjekur atëherë logjikën tuaj, me akuzat që keni ngritur gjithë këto ditë garanti për to sipas kësaj logjike, i bie të jenë qeveritë e këtyre vendeve?! Qesharake plotësisht.

Çuditem vërtet si nuk e kuptoni se kështu si flisni për këtë çështje vetëm qesharak dukeni jo vetëm në sytë e partnerëve që punojnë bashkë me ne, por më shumë akoma në sytë e qytetarëve tanë.

Të nderuar kolegë,

Lufta kundër trafikut të narkotikëve është transnacionale, sepse dhe krimi i tillë është shndërruar. Ndaj dhe bashkëpunimin e autoriteteve ligj zbatuese, po punojmë për ta ngritur në një stad të ri. Dhe jemi të kënaqur se rezultatet po vijnë. Jo më larg se një ditë më parë në Itali dhe këtu tek ne, u shkatërrua një grup i strukturuar që trafikonte kanabis drejt Pulias. U deshën 2 vjet hetime intensive dhe një punë voluminoze e përbashkët, besim e shkëmbim informacioni, për të dërguar para drejtësisë mbi 40 anëtarë të këtij grupi kriminal. E që ju ta kuptoni përmasën e krimit transnacional, duhet t’ju them se më shumë se gjysma e tyre ishin shtetas italianë.

Të tjerë super aksione në luftë kundër krimit të organizuar, produkt i një bashkëpunimi dhe besimi të ndërsjelltë ndërkombëtar, do të shihni dhe në ditët dhe javët në vijim. Thjesht i mbani shënim.

Veçmas disa prej jush, kanë thënë në lidhje me çështjen e sekuestros së sasisë së kokainës, unë gjej rastin që t’ju bëjë thirrje të hiqni dorë nga deklarimet që bëni në forume të ndryshme ndërkombëtare, për gjoja situatën e rëndë të kriminalitetit në Shqipëri, apo edhe për gjëndjen e krimit shqiptar në vendet europiane.

Baltosja e Policisë nga disa prej jush, akuzat ndaj meje, ndaj Kryeministrit nuk është se i dëgjojmë për herë të parë këto muaj. Tani vetëm sa i keni intensifikuar, në përpjekjen e rradhës për të baltosur edhe imazhin e vendit. Keni akuzuar këto ditë, duke u përpjekur t’i nxini faqen vendit tuaj, se Shqipëria është kthyer në rrugë kalimi për drogat e forta. I thoni këto, pa iu dridhur goja dhe pa asnjë reference ndërkombëtare.

I bëni këto akuza duke qënë komplet të paditur dhe pa dhënë asnjë referencë në numra dhe dokumenta seriozë. Sillni në vëmendje të opinionit shqiptar qëndrime e komente të palëve politike, kundërshtarë të integrimit të vendit në BE, në vende të ndryshme europiane, qëndrime të cilat lidhen ndër të tjera edhe me situata politike konkrete në ato vende.

Doni të krijoni idenë se kriminelët shqiptar janë ata që mbizotërojnë veprimtarinë kriminale në këto vende. Dhe e lidhni këtë me performancën e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit. Ndërkohë nëse i referohesh numrave zyrtarë të deklaruar nga autoritet ligj zbatuese po të këtyre vendeve, me të cilat ne jemi në një kontakt intensiv duke shkuar edhe vetë atje me ekipe fakt-mbledhës, del se përqindja e shqiptarëve të përfshirë në veprimtari kriminale është shumë, shumë e ulët në krahasim me nënshtetas të tjerë në këto vende, përfshirë dhe vendet e rajonit, dhe akoma më i ulët është ky numër në raport me numrin e gjithë shqiptarëve që banojnë në këto vende.

Të nderuar qytetarë!

Ju jeni dëshmitarë të rezultateve që Policia e Shtetit ka arritur në këto kohë të fundit. Nuk i referohem vetëm kapjes së fundit të drogës në portin e Durrësit. Janë disa ngjarje të rënda kriminale, si vrasje, apo grabitje të cilat të gjitha, jo vetëm janë zbuluar autorët, por ajo çfarë është më e rëndësishmja, ata brenda një kohe të shkurtër janë ndaluar dhe arrestuar. Si rrallë herë më parë ka ndodhur kjo. Për më tepër për vepra penale të tilla të rënda.

Vetëm në këto 2 muaj, Policia e Shtetit gjithashtu ka sekuestruar dhe hequr nga duart e krimit rreth 3.6 milion euro si dhe 46 mijë m2 tokë në bregdet të përfituara në mënyrë abuzive, vetëm në këto 2 muaj. E dini sa sekuestronit në vitin 2013, ju që vini këtu dhe ngrini akuza pafund, kur ishit vetë në pushtet ? – 1.2 mln euro për gjithë vitin. Këto rezultate të goditjes së krimit nuk janë rastësi, por vijnë si pasojë e rritjes së profesionalizimit dhe përkushtimit ndaj detyrës që dëshmohet nga dita në ditë.

Sa u përket skeptikëve apo baltosësve kronikë, ata problemin e kanë me veten dhe jo me Policinë. Nëse mendojnë se duke shigjetuar Policinë, po dëmtojnë shumicën qeverisëse, apo së paku Ministrin përgjegjës, dëshiroj t’ju them se e kanë shumë gabim dhe bëjnë një mundim të kotë. Kjo lloj politike është thjesht primitivizëm, i cili nuk i shkon nivelit në të cilin gjendet sot shoqëria shqiptare dhe është i papajtueshëm me aspiratën e gjithëpranuar të integrimit në familjen europiane.

Kjo është realisht një sjellje e padenjë nga ana e atyre politikanëve, që trajtojnë një institucion të shtetit, si Policia, me një optikë tërësisht armiqësore. Ne kemi bindjen tonë të fortë, ashtu si dhe vullnetin e palëkundur, që jo vetëm të vazhdojmë në një rrugë që me shumë punë kemi shtruar, por të shpejtojmë dhe hapin përgjatë saj. Dimë detyrat që na janë ngarkuar, dimë rekomandimet që na janë ofruar dhe ju ftojmë të mbani dhe ju shënim rezultatet konkrete dhe evidente, në javët dhe muajt në vijim. Ju faleminderit!

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset