SPAK goditi grupin kriminal të Salvador Aliut, i cili dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga vendet e Amerikës Latine në Europë. SPAK ka zbërthyer se si funksiononte ky grup.

Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e  960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:

Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar  në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.

Episodi 2 –   6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike  kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe  kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).

Episodi 3 – 16 Gusht.2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në  Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020–  Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 5 – 03 shkurt 2021–  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50  kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .

Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.


Lajmi kryesor:

Goditet ‘kumbari’ i panjohur i drogës Salvador Aliu, furnizonte grupet shqiptare! Trafikuan 50 tonë kokainë, 1 në pranga, 9 në kërkim! Sekuestrohen 150 mln € pasuri, hotel e vila në bregdet (EMRAT+LISTA)