FIER- 3 persona janë arrestuar pas operacionit policor ‘Bashkëpunimi’ ku u zbulua se një lokal në Pojan ishte përshtatur për përdorimin e drogës. Në pranga kanë rënë Eduard Gjigoli, 46 vjeç i cili është pronar i lokalit; Liridon Gashi, 30 vjeç i cili është furnizuesi i lëndës narkotike dhe Donald Llupi, 28-vjeç i cili ishte kamarier në lokal.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u gjetën doza me kokainë, 18.380 euro të dyshuara se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Një sasi tjetër lënde narkotike prej 6.5 kilogramësh kanabis u gjet në banesën e 30-vjeçarit Liridon Gashit, i cili dyshohet se i çonte drogën pronarit të lokalit.
Pronari i lokalit, Gjigoli banues në Dërmënas akuzohet për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Përshtatja e lokalit për përdorim droge" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të gjahut". Personi që furnizonte me drogë pronarin e lokalit, Gashi, banues në Pojan akuzohet për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Ndërsa, kamarieri, banues në Pojan akuzohet për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente







