Ka nisur edicioni i tetë radhazi i kolonisë së piktorëve në Kolonjë. Përgjatë katër ditëve, artistë nga Shqipëria dhe trevat shqiptare do të hedhin në telajo vjeshtën dhe bukuritë natyrore që ofron kjo krahinë.
Fatmir Toçi, organizator i kësaj kolonie tregon se në bashkëpunim me Bashkinë Kolonjë po punohet për realizimin e një synimi të rëndësishëm, ngritjen e një galerie të arteve pamore në Ersekë.
"Rreth 45 piktorëve çdo vit në stinën e vjeshtës vijnë të marrin frymëzimin dhe transformimin që zona ka patur. Do shkojmë deri në fund të premtimit që kanë dhënë piktorët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, nga diaspora, që me pikturat e tyre brenda pak kohësh të krijohet një galeri arti e pikturës, ku do të ketë objekt dhe fokus peizazhet dhe pamjet e zonës."- shpreh Toçi.
Për piktorët, Kolonja ofron frymëzim në çdo stinë të vitit. Disa prej tyre tregojnë se kanë krijuar një lidhje të veçantë me këtë krahinë, duke e vizituar atë vazhdimisht për të pikturuar peizazhet e saj.
Arben Kristani ka treguar se kjo është hera e tretë që merr pjesë në koloninë e piktorëve, ndërsa Kolonjën e viziton shpesh për shkak të peizazheve të saj të veçanta.
"Kolonja është hera e tretë, por unë vij shpesh sepse është nga rrugët e preferuara të miat. Nga rrugët më të bukura që ka Shqipëria për t'u pikturuar."-shpreh piktori.
Ndërkohë Emiona Stasi thekson se rikthimi në Ersekë është gjithmonë një kënaqësi e veçantë veçanërisht gjatë vjeshtës, kur natyra ofron ngjyra dhe tonalitete të pasura.
"Vij për të disatën herë, për mua është kënaqësi e veçantë në Ersekë sepse edhe në këtë kohë ka natyrë të butë, kolorit të pasur, tonalitete të bukura e ka kënaqësi kur pikturon. Vjeshta është më e bukura këtu. Ngjyra të hatashme."-citoi ajo.
Piktori Ardian Mashi ka vlerësuar bukuritë natyrore të Kolonjës, duke u shprehur i mahnitur nga peizazhi i zonës edhe në kushtet e motit të vrenjtur.
"Në koloninë e Ersekës, në peizazh që të ofron ky vend. Shumë bukur edhe pse koha e vrenjtur, natyra është fantastike, vjeshta e bukur."-shtoi .
Në përfundim të kolonisë, punimet e realizuara gjatë këtyre katër ditëve do të prezantohen në një ekspozitë të veçantë në Ersekë. Përmes telajove të tyre, piktorët do t'i japin publikut një këndvështrim artistik mbi bukuritë e Kolonjës, duke kontribuar edhe në pasurimin e fondit të krijimeve që synohet të ekspozohen në galerinë e ardhshme të arteve pamore.






Komente
Komento