Komandant 'Topi', Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

Komandant 'Topi', Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

Haxhi Shala

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, i njohur gjatë luftës me nofkën “Topi”, në fjalën e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka thënë se ndihet i pafajshëm për atë çka e akuzon Prokuroria në Hagë.

Ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklarimin e tij e ka bërë në konferencën e tij të parë mbi ecurinë e çështjes së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Prokuroria e Speciales po e ngarkon Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

“Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Shala kur është pyetur se si deklarohet lidhur me këto akuza që rëndojnë mbi të.

Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000.

Selia e gjykatës ndodhet me bazë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 14 dhjetor Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur për katër vjet dënimin ndaj ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Një vit më parë, Mustafa ishte është dënuar në shkallë të parë më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari