Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve e drejtuar nga Skënder Gega do ndeshet me Spanjën në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Kuqezinjtë e vegjël vijnë pas suksesit të parë në grup të arritur në Budapest ndaj Hungarisë me rezultatin 2-0. Një fitore që vjen pas ecurisë jo të mirë në grupin 4, aty ku ishin regjistruar 5 humbje radhazi.

Suksesi i arritur shton entuziazmin tek futbollistët. Por pyetja që lind është nëse do të ndalë Shqipëria, Spanjën të hënën në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” në orën 14:00. Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Skënder Gega në një intervistë për ‘Shqiptarja.com’ me humor shprehet se Spanja mund të ndalet vetëm me tritol në urën e Zaranikës.

“Spanja është një ekip mjaft i fortë që ka dominuar vitet e fundit, përsa i përket ndeshjeve të grupit ka arritur fitore bindëse me rezultat të thellë. E vetmja mënyrë për të ndalur kampionët është me tritol në urën e Zaranikës. Megjithatë ne do të përpiqemi që të realizojmë një paraqitje sa më të mirë përballë kryesuesve të grupit tonë në fushë” shprehet ai. Por cfarë mendon Gega për kritikat e shumta pas rezultateve negative dhe a e ka arritur misionin e saj kombëtarja e 21 vjeçarëve.

“Nuk mendoj që është e drejtë që të kritikohet një trajner për punën e tij në një kohë të shkurtër, ne kemi zhvilluar paraqitje mjaft të mirë në ndeshjet e fundit, por jo gjithmonë kemi marrë atë që kemi merituar. Përsa i përket misionit të kombëtares U-21 dua të them që kemi bërë hapa përpara, por kemi edhe shumë për të bërë.

Ndeshja me Bullgarinë ishte mjaft e mirë, dominuam në fushë duke treguar karakter dhe shpirt gare deri në fund. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe në vazhdim” deklaron ai. Në fund të intervistës, Gega shprehet se gjendja e grupit të futbollistëve është pozitive përvec 2 futbollistëve të dëmtuar.

Për këtë ndeshje Gega do të ketë në dispozicion sërish një futbollist të talentuar si Kace, i cili është thirrur në dy ndeshjet e fundit për të ndihmuar ekipin U-21,  ndërsa mesfushorit të PAOK do t’i bashkohet edhe mbrojtësi Hysaj nga Empoli për super sfidën me Spanjën.

Pas humbjes të thellë në Spanjë, qëllimi është paraqitja dinjitoze në Elbasan. Kualifikimi i Shqipërisë në këtë grup është shumë i vështirë, pasi ndodhet në vendin e fundit me vetëm tre pikë të grumbulluara.