Kombëtarja kuqezi me ‘dy fytyra’ 
del e humbu nga fusha austriake

Kombëtarja kuqezi me ‘dy fytyra’ <br />del e humbu nga fusha austriake
TIRANË - Kombëtarja jonë ka humbur ndeshjen miqësore me Austrinë 1-2. Në këtë testim të vështirë Shqipëria është shfaqur me dy fytyra. Në pjesën e parë ka luajtur mjaft dobët me gabime foshnjarake në mbrojtje, që i kushtuan dy golat e shpejtë të austriakëve. Ndërsa në të dytën kuqezinjtë janë paraqitur mjaft mirë, duke shënuar një gol mjaft të bukur me Lanjanin dhe duke e dominuar lojën. Gjithsesi edhe këtë herë të 7-të që u ndeshëm me austriakët sërish dolëm të mundur nga fusha.

Ndeshja
De Biasi luajti me rreshtimin 4-5-1, ku spikasnin, Kaçe e Lila titullar si dhe Mavraj, që rikthehej pas plot një viti me Kombëtaren pas një mungese të gjatë. U pa qartë se kjo u ndje sidomos në minutat e para të ndeshjes, ku austriakët hapën disa herë në qendër mbrojtjen tonë përpara se të shënonin në të 6-të me Jankon, që shfrytëzoi një gabim në vendosje në mbrojtje.

Goli nuk uli ritmin e austriakëve që në 9’ rrezikuan sërish me Jankon. Në 13’ erdhi edhe goli I dutë për Austrinë. Një top i gjatë i portierit Almer, shërbeu si asist për Harnik pas një gabimi të Mavrajt, që nuk vuri re lojtarin vendas duke e lënë këtë të fundit të vraponte i vetëm drejt portës për golin e 2-0. Në disavantazhin 0-2 Shqipëria u gjet përpara një situate që duhet të tregonte se si do të sillej nëse do t’i ndodhte dicka e ngjashme dhe në Europian dhe kuqezinjtë u përpoqën të ndryshonin ritmin me Austrinë që u tërhoq paksa. Në të 22-tën Balaj provoi me kokë por Almer priti, ndërsa 2 minuta më pas Lenjani lëshoi një goditje të fortë por jashtë kuadratit.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Shqipëria, me De Biasin që hodhi në fushë Roshin e Cikalleshin për Lilën e Balajn. Lëvizje që dha efekte, pasi pas vetëm 2 minutash Cikalleshi shërbeu për Lenjanin, që shkurtoi diferencën me një goditje spektakolare. Gjithsesi problemet në mbrotjen tonë u bënë të dukshme në të 57-tën kur Arnautovic shfrytëzoi një tjetër hapje duke lënë në qendër për Jonuzovicin që nuk devijoi dot për në rrjetë. Me fat ishte dhe Austria pak sekonda më pas kur Cana i vetëm përballë Almer nuk zgjodhi kohën e duhur për të goditur nga dy hapa. Në 70’, Roshi mori sërish mirë krahun por askush nuk mundi të devijojë në qendër. Shqipëria vazhdoi të luante mirë, por pa arritur dot tek finalizimi.

Në 78’, kuqezinjtë mbetën me 10 vetë pas daljes me të kuq të Kaçes. De Biasi megjithatë nuk hoqi dorë nga sulmi duke nxjerrë Lenjanin për Sadikun, me Shqipërinë që kaloi në rreshtimin 4-3-2. Në të 85-tën, Shqipëria rrezikoi të pësonte në kundërsulm por këtë herë kuqeznjtë treguan se i kishin mësuar gabimet e pjesës së parë dhe mbyllën mirë zonën. Ndërsa në të 93-tën ishte Berisha që shpëtoi golin e tretë.  Pavarësisht humbjes duhet theksuar se ishte një test mëse i vlefshëm për kuqezinjtë, që ditën të mësojnë brenda një ndeshje të vetme nga gabimet e saj duke i dhënë dhe De Biasit disa tregues mbi të cilët duhet të punojë më shumë për të qenë gati për Euro 2016.

De Biasi: Dhuruam dy gola, më pëlqeu reagimi
Gianni De Biasi nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjen e Kombëtares në Vjenë, mbi të gjitha në 30 minutat e para të miqësores me Austrinë. Trajneri i cilësoi të dhuruar dy golat e pësuar nga Kombëtarja, duke theksuar se Shqipëria u kthye në rrezikun e vetëvetes. “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Skuadra jonë nuk mund të pësojë dy gola në atë mënyrë, ishin dy gabime tejet të evitueshëm. I dhuruam dy golat. Më të rrezikshmit nga kundërshtarët? Në pjesën e parë të lojës më të rrezikshëm për veten… ishim ne.

30 minutat e para të lojës nuk ishin të mira për ne, ndërsa në pjesën e dytë arritëm të ndryshonim gjithçka”. Por, jo gjithçka ishte për t’i hedhur poshtë nga testi i parë në kuadër të finaleve të Euro 2016. Trajneri De Biasi vlerësoi reagimin e skuadrës, ndërsa shprehu rezerva për kartonin e kuq të Ergys Kaçes. “Folëm në dhomat e zhveshjes dhe me zëvendësimet e kryera arritëm ta ndryshonim lojën. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë se Austria. Kartoni i kuq i Kaçes? Këto lloj kartonësh nuk jepen në miqësore. Episodi ndikoi në rezultat, sepse nëse do të luanim me 11 lojtarë do të kishim barazuar. Pas kësaj ndeshje mund të them që më pëlqeu dëshira e madhe e treguar nga skuadra për të reaguar dhe për të ndryshuar në momentin e vështirë”.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)