TIRANË - Tjetër ndryshim në listën e Kombëtares shqiptare në prag të ndeshjeve të Nations League ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.
FSHF bën me dije se sulmuesi Myrto Uzuni ka pasur një problem muskulor në ndeshjen e fundit me klubin, por u paraqit në Kombëtare për t’iu nënshtruar analizave mjekësore. Dje futbollisti bëri një rezonancë magnetike që evidentoi një dëmtim në muskujt e pulpës së djathtë.
Për këtë arsye, lojtari nuk mund të jetë i disponueshëm për ndeshjet e Kombëtares në tetor dhe do të kthehet në klubin e tij për të vazhduar programin e rikuperimit.
Trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë në vendin e tij sulmuesin Indrit Tuci, i cili mbërriti sot në Tiranë dhe iu bashkua ekipit në përgatitjet për dy transfertat e rëndësishme. 24-vjeçari është pjesë e Spartës së Pragës dhe për herë të parë merr ftesë nga ekipi i parë, teksa më herët ka luajtur shtatë ndeshje (një gol) me ekipin U-21.
Ndërkohë që Kristjan Asllani ka lënë pas lëndimin dhe është bashkuar në stërvitjen e sotme me grupin, duke qetësuar trajnerin.
Si zakonisht, seanca stërvitore nisi me punën në palestër dhe më pas kuqezinjtë zbritën në fushë për të bërë fillimisht përgatitje atletike. Më pas, trajneri dhe stafi teknik punuan edhe taktikisht me skuadrën. Seanca stërvitore zgjati reth 1 orë e 30 minuta.
Kombëtarja do të mbyllë nesër në “Shtëpinë e Futbollit” përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë. Seanca stërvitore është programuar të nisë në orën 10:00 dhe më pas kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Pragës.
Indrit Tuci
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Qetësohet Sylvinho, Asllani lë pas dëmtimin! Tuci kryen stërvitjen e parë me Kombëtaren
Kombëtarja shqiptare ka vijuar paraditen e së mërkurës me përgatitjet për dy ndeshjet e tetorit ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për UEFA Nations League.
Skuadra zbriti sot në fushë në orën 11:00 dhe grupi u stërvit i plotë. Kristjan Asllani ka lënë pas problemet muskulore dhe është stërvitur normalisht me pjesën tjetër të skuadrës. Ndërsa gjatë stërvitjes ekipit iu bashkua edhe sulmuesi Indrit Tuci, që zuri vendin e të dëmtuarit Myrto Uzuni.