TIRANË - Nuk ka kohë për festë. Kombëtarja shqiptare e futbollit është rikthyer në stërvitje vetëm disa orë pas barazimit 1-1 në Moldavi dhe sigurimit të kualifikimit për në Euro 2024.

Mëngjesin e kësaj të shtune, rreth orës 01:15 ekipi ynë mbërriti në Shqipëri me charterin e Air Albania, ndërsa Sylvinho është kthyer me lojtarët në stërvitje te "Shtëpia e Futbollit".

Braziliani i stolit e ka ndarë skuadrën në dy pjesë për stërvitjen e orws 12:00. Lojtarët që ishin titullarë dhe morën minuta dje gjatë ndeshjes do zhvillojnë ushtrime në palestër, teksa pjesa tjetër e ekipit ka zbritur në fushë duke u stërvitur me topin.

Kuqezinjtë luajnë ndeshjen e fundit kundër Ishujve Faroe të hënën në orën 20:45 në "Air Albania", ndërsa një pikë do na jepte edhe kreun e grupit pa rrezikuar dhe me gjasë duke pasur kundërshtarë më të lehtë në turnete e tjera të organizuar nga UEFA, si edhe vazon e dytë për shortin e finaleve të Europianit.