FUSHË KRUJË - Policia e Durrësit ka rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar të shpërthimit të rajonit të policisë së Fushë Krujës. Në kuadër të operacionit të koduar “Detonatori”, policia bëri të mundur arrestimin e 3 personave fillimisht Dorjan Picorri, 28 vjeç, Saimir Ajazi, 34 vjeç, si dhe Redi Ndreu 30 vjeç, të tre nga Kruja.

Ndërkaq, është arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për shpërthimin në Komisariatin e Fushë-Krujës. Enis Mullai, 31 vjeç nga Kruja, u gjet i fshehur në brendësi të një stani bagëtish, në zonën e Zaharisë. Në kërkim është edhe një person tjetër.
 
Sipas policisë së Durrësit nga hetimet e deritanishme rezulton se anëtarët e këtij grupi janë përgjegjës për shpërthimin e mbrëmshëm me eksploziv në portën e pasme të rajonit të policisë në Fushë-Krujë.

Nga ky operacion, sektori Kunder Narkotikeve dhe Trafiqeve të Paligjshme Durrës ka sekuestruar një sasi prej 100 kallëpe lënde plasëse të llojit tritol. Sipas policisë, sasia e tritolit ishte e destinuar për tregun e brendshëm kriminal që operon në Qarkun e Durrësit.
 
SULMI I TRETË ME TRITOL NDAJ KOMISARIATIT TË FUSHË-KRUJËS
Rajoni i policisë së Fushë-Krujës u bë për të tretën herë objekt i një sulmi më lëndë eksplozive. Një sasi tritoli ka shpërthyer në derën e komisariatit. Për pasojë, porta është dëmtuar thuasje totalisht, ashtu si edhe automjetet që ndodheshin pranë saj, por pa të lënduar në njerëz. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ndërsa shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale edhe në banesat përreth dhe panik tek banorët. 

Dyshohet se, lënda eksplozive, rreth 200 gr tritol, është hedhur nga një automjet nga mbrapa komisariatit dhe është përplasur në derë duke shpërthyer. Gjatë hetimeve policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të një banke private që ndodhet pranë komisariatit.
 
Ky është shpërthimi i tretë që ka ndodhur brenda këtyre muajve në komisariatin e Fushë Krujës, ndërsa i teti që nga fillimi i vitit në këtë zonë.

*Lajmi u publikua fillimisht në orën 22:00 të datës 18 prill, dhe u perditesua sot, 19 prill 2014
 
Redaksia online
(e.s/ac/shqiptarja.com)