Më pas Komisioneri i BE për Zgjerimin ka vizituar dhe xhaminë e Et-hem Beut
“Qytet i mrekullueshëm, kam qenë këtu para 6-7 vitesh, Tirana është një qytet evropian.” tha pas vizitës te xhamia e Et-hem Beut, Johanes Hahn që shoqërohej nga Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.
Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn ka mbërritur sot në Tiranë për një vizitë dy ditore ku do të takohet me autoritetet më të larta shqiptare si dhe do të marrë pjesë në raundin e pestë të Dialogut të Nivelit të Lartë midis BE-së dhe Shqipërisë.
Dialogu i Nivelit të Lartë për pesë Prioritetet Kyçe, të cilin Komisioneri Hahn do ta bashkë-kryesojë me Kryeministrin Edi Rama, synon të intensifikojë punën e Shqipërisë lidhur me reformat kyçe të nevojshme për fazën e ardhshme të procesit të integrimit të vendit në BE.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Komisioneri Hahn do të takohet me Presidentin Nishani, Kryetarin e Parlamentit Meta, Kryeministrin Rama, kryetarin e opozitës Basha dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile.
Ai do të vizitojë disa qendra kulturore në Tiranë, një projekt të financuar nga BE si dhe do të ketë një diskutim mbi çështjet e ndërlidhjes e transportit me Qeverinë. Në fund të vizitës, Komisioneri Hahn dhe Kryeministi Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)