TIRANË- Pjesëmarrja e një deputeti në disa komisione parlamentare është një ndër shqetësimet e Kuvendit. Deputeti socialist Armando Subashi duke ju përgjigjur interesit të medias propozon reduktim të numrit të deputetëve në komisione do përmirësonte punën e tyre.

"Komisionet e Kuvendit janë të tej fryra me një numër shumë të madh deputetësh dhe sigurisht kjo nuk krijon premisa për një punë të mirëfilltë profesionale, nëse komisionet do të jenë më të pakta në numër do të jenë më fleksibël dhe mundësia për të bërë punë të vërtetë do jetë më e madhe. Mund të shoqërohet me ndryshim të rregullores, edhe s’mund të shoqërohet. Në fakt rregullorja nuk është detyruese."-tha Subashi.
 
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh deputeti i parlamentit Petrit Vasili, e konsideron të rëndësishëm nivelin e debatit dhe cilësinë e projektligjeve. Ndërsa demokratët e kanë cilësuar si qesharake duke e lidhur me refuzimin që kanë marrë nga mazhoranca për disa komisione hetimore.

"Kjo mazhorancë është treguar shumë e kujdesur, kur e ka lypur nevoja edhe kritike në mënyrë që legjislacioni i prodhuar të jetë më i miri. Themelore është që ky kualitet i legjislacionit të vazhdojë të jetë kryesor. Sigurisht këtu ka nevojë për teknikalitete që e bëjnë më të zhdërvjellët punën."-tha Vasili.

"Kjo është qesharake, që shumica të shqetësohet për funksionimin e komisioneve parlamentare dhe të mos shqetësohet për shkeljen flagrante që i bën kushtetutës dhe të drejtave të opozitës, duke mos aprovuar tre nismat tona për komision hetimor."-tha deputeti i PD, Aldo Bumçi.

Pjesëmarrja e një deputeti në disa komisione ka qenë një shqetësim i ngritur edhe më herët nga deputetë të tjerë, siç është një prej tyre Bashkim Fino.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)