TIRANE- Komisioni Hetimor i Partisë Demokratike për lëvizjet që janë bërë në administratën e Policisë së Shtetit u konstitua dje duke përzgjedhur si sekreteare deputeten e PS, Ermonela Felaj. Në mbledhjen e tij të parë komisioni përcaktoi edhe fushën ku do të kryhet hetimi që sipas Partisë Demokratike, ndryshimet që janë bërë në strukturat e Policisë së Shtetit janë të jashtëligjshme dhe kanë çuar në rritjen e kriminalitetit në vend. Konkretisht PD thekson në draftin paraprak të komisionit tri pika ku janë bërë shkeljet në motivacionin e shkarkimeve në polici.

“1-Për ndryshimin e strukturës organizative dhe pamundësisë së emërimit në një detyrë tjetër. 2-Është ripranuar në kundërshtim me ligjin. 3-Shkurtim të funksionit organik dhe nuk kërkon ulje grade”,- thuhet në draftin e Komisionit. Krahas kësaj, theksohet se disa funksionar policie janë shkarkuar për motivacione politike që kanë të bëjnë me arrestimin që i është bërë babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Po kështu në disa raste është evidentuar se lirimi nga puna i punonjësve të policisë ka parpavijë të theksuar politike.

Sipas kërkesës, për ilustrim shërben rasti i lirimit nga detyra i të gjithë drejtuesve të strukturës policore, të cilët kanë drejtuar operacionin policor ku është arrestuar në flagrancë shtetasi Bashkim Tahiri, babai i Ministrit aktual të Brendshëm. Konkretisht janë liruar nga detyra: Drejtuesi i parë Ismail Elezi me deturë Drejtor Kundër Krimit Financiar. Kryekomisar Arjan Hoxha me detyrë Shefi Sektorit Kundër Krimit Financiar në DPQ Tiranë, si edhe Ervin Dalipaj me detyrë Shefi i Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar në DPQ Tiranë”,- theksoihet në draftin e hartuar nga Partia Demokratike që ka edhe drejtimin e Komisionit Hetimor.

Pavarësisht se dje ishte mbledhja e parë e këtij komisioni, ai nuk kaloi pa debate ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Nënkryetari i Komisionit i cili është nga rradhët e Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi se puna e këtij komisioni duhet të kishte nisur nga puna që ditën e hëne. Er.Ko

Shkrimi u publikua sot (20.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)