Komisioni i Ekonomisë i jep OK
Sejkos: Do zbardh vjedhjen në BSH

Komisioni i Ekonomisë i jep OK<br />Sejkos: Do zbardh vjedhjen në BSH
TIRANE- Kandidadi për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ka marrë dje votat pro të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, ku ka paraqitur edhe vizionin e tij për drejtimin e institucionit qendror bankar. Ndërsa renditi para komisionet Komisionit platformën dhe prioritetet e tij në drejtimin e Bankës së Shqipërisë, Sejko e vuri theksin te nevoja që ka ky institucion për të rritur masat mbikqyrëse të kontrollit si dhe zbardhjen e plotë të vjedhjes së 713 milionë lekësh.

“Një nga prioritetet është vlerësimi i dokumenteve, pasqyrave financiare, për të vlerësuar nëse është e saktë vlera e vjedhur nga thesari, po ashtu për të parë edhe nëse daljet e përgjegjësive janë të sakta”, tha Sejko para Komisionit.

Sistemi i kontrollit
Sipas Sejkos thelbësor është rishikimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm të Bankës së Shqipërisë të cilat kanë dështuar, referuar ngjarjes së ndodhur dhe disa departamente dhe funksione të Bankës qendrore që nuk kanë qenë në lartësinë e duhur, si departamenti i thesarit, i kontrollit të brendshëm, i administrimit. “Pra, duhen riparë sepse është e dukshme që këto departamente nuk kanë kryer rolin dhe funksionin e tyre”, tha Sejko, kandidaturë e propozuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.

Deputetët kërkuan të dinin se çfarë do të bënte Gent Sejko në drejtimin e BSH-së, lidhur me komisionet e larta me të cilat operon sistemi bankar shqiptar, interesat e kredive dhe nivelin e lartë të kredive me probleme. “Shkaku kryesor për kredinë e keqe ka qenë rendja nga ana e bankave në industri të cilat kanë pasur rritje të theksuar dhe ardhja e krizës, dhe vendosja e këtyre industrive në pozicione të vështira, por dhe mungesa e profesionalizmit, për të thënë realitetin, nga ana e bankave për të bërë një strukturim të duhur të portofolave të kredisë dhe  të kredive ndaj klientëve.

Sfida e Bankës Qendrore dhe Bankave të nivelit të dytë është hedhja e këtij likuiditeti në ekonomi. Pra, sfida është si të bëjmë, të përkthejmë këto para në kredi në mënyrë që bankat të mos i vendosin në placement, në vendosje në bankat e huaja, po ti hedhin në kredi në ekonominë shqiptare", tha Sejko.

Paga
I pyetur nga anëtari demokrat në këtë komision, Florion Mima, nëse do të rishikojë pagën e Guvernatorit dhe të punonjësve të Bankës Qendrore, Sejko tha se do të kontraktohet një kompani e posaçme për të bërë vlerësim objektiv duke e krahasuar me vendet e tjera të Rajonit. Ai tha se nëse ka diferencë të thellë dhe mbivlerësim në pagë, është i hapur për të bërë rishikime, por theksoi se nuk do të bënte veprime që mund të rrezikonin rrjedhjen e stafit, për të cilët shprehu vlerësim në lidhje me profesionalizmin.

“Plani im është për të bërë studim në rajon për të parë raportet e bankave qendrore në raport me industrinë brenda të cilave ata operojnë. Po nga ana tjetër të jemi në treg që mos të nënvlerësojmë dhe të kemi humbje të burimeve njerëzore. Me ato raporte qe kam parë BSH është konkurruese, ndoshta dhe diçka më poshtë se bankat e nivelit të dytë që kanë paketa më atraktive. Çdo rishikim i pavlerësuar i paketave të këtyre punonjësve, do të kishte rrjedhje të stafit dhe pozicione të tjera jashtë bankës.

Nëse do të ketë shpërpjesëtim në raport me Rajonin do të jem i hapur të bëj rishikime, nëse ka fryrje, do ta rishikoj”, tha Sejko. Kreu i komisionit Erjon Braçe vlerësoi si të ligjshme procedurat e ndjekura për kandidaturën e Sejkos, duke i hapur rrugë votimit në Kuvend të enjten e ardhshme. “Nominimi nga ana e presidentit të Republikës të zotit Sejko është në përputhje me ligjin dhe i kalon seancës plenare në vlerësimin e tij lidhur me dekretin e Presidentit të Republikës për të votuar ditën e enjte të javës tjetër”, tha Braçe.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE