TIRANE - Debatet mes mazhoranës dhe opozitës kanë vazhduar edhe sot në Komisionin për Politikën e Jashtme në lidhje me dy kandidaturat e Ilir Melo dhe Ilir Abdiu për ambasadorë të Shqipërisë.

Këto kandidatura janë kundërshtuar nga deputetët e opozitës Aldo Bumçi dhe Erjon Bogdani. Ndërkohë ka reaguar deputetja e PS dhe kryetarja e komisionit Arta Dade e cila u shpreh se PD ka mbajtur në punë një ambasador në Angli edhe pse nuk ishte dekretuar nga ish-Presidenti Bamir Topi.

Bumçi ka replikuar duke shtuar se sipas PD kjo nuk është një reformë por arrogancë, ndërsa ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm të opozitës ndaj shërbimit diplomatik të vendit.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe deputeti tjetër i PD-së Gerti Bogdani i cili ndër të tjera shtoi se bojkotimi i komisioneve nga opozita erdhi për shkak të dhunës së ushtruar ndaj Gent Strazimirit, 3 ditë më parë në ambjentet kryesisë së Kuvendit.

Ilir Melo, është kandidat për ambasador i Shqipërisë  në Kroaci,si dhe Ilir Abdiu, kandidat për ambasador i Shqipërisë në Suedi.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)